BKH zbarkon në Kadastër, nis “furtuna” e hetimeve! Në sitë drejtuesit, çfarë ndodhi me telefonin e Lorena Goxhobellit?

Byroja Kombëtare e Hetimit ka hyrë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, duke vënë në lëvizje një operacion të gjerë që ka futur në sitë drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucionit. Hetimet lidhen me dyshime për një skemë të organizuar korrupsioni, ku përfshihen tjetërsime pronash, legalizime të paligjshme dhe bashkëpunim me grupe kriminale.
Për orë të tëra, agjentët e BKH-së kanë qëndruar në ambientet e ASHK-së, ndërsa nën verifikim janë zyrtarë dhe ish-drejtues që dyshohet se kanë favorizuar regjistrimin e pronave në kundërshtim me ligjin.
Gjatë operacionit qarkulloi edhe lajmi se drejtoreshës së ASHK-së, Lorena Goxhobelli, i ishte sekuestruar telefoni. Por, sipas burimeve të Vox News, ky pretendim nuk qëndron. Të njëjtat burime sqarojnë se agjentët e BKH-së nuk kanë ushtruar kontroll as në zyrën e kryeregjistrueses.
Ndërkohë, SPAK ka ndërmarrë një tjetër goditje, duke vendosur sekuestro mbi disa sipërfaqe toke në zonën e Livadhit në Himarë. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ky është vetëm fillimi dhe se priten aksione të tjera në vijim.
Sipas hetimeve, vatrat kryesore të dyshuara të korrupsionit ndodhen në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Elbasan. Prokurorët e posaçëm po hetojnë një mekanizëm që dyshohet se është përdorur për të tjetërsuar prona, për të pastruar para me origjinë kriminale dhe për t’i kanalizuar ato në sektorin e ndërtimit. Operacioni pritet të zbulojë nëse skema ka përfshirë edhe nivele të tjera të administratës.