Bie akuza për krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së/ Gjykata: ZPS nuk provoi sulm të përhapur ndaj popullatës civile

Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar akuzat për krime kundër njerëzimit në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke konstatuar se Prokuroria e Specializuar nuk arriti të provonte ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër një popullate civile.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit këtë të mërkurë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi amerikan Charles Smith, deklaroi se nuk është përmbushur një prej elementeve të nevojshme ligjore që veprat e pretenduara të cilësohen si krime kundër njerëzimit. Seanca për shpalljen e vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ishte caktuar për 16 shtator 2026.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër një popullatë civile trupi gjykues konstatoi se ZPS nuk arriti të vërtentote se ishte kryer një sulm kundër një popullate civile. ZPS nuk arriti të proovonte se ishin kryer krime kundër njerëzimit”, tha Smith.
Trupi gjykues deklaroi gjithashtu se nuk ishte bindur se personat e shënjestruar mund të konsideroheshin “popullatë civile”, element kyç për cilësimin juridik të akuzave si krime kundër njerëzimit.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile. Trupi gjykues konstaton se akuzat nuk mund të cilësohen si krime ndaj njerëzimit. Nuk përmbushen kriteret e përgjithshme në lidhje me këto krime”, deklaroi kryetari i trupit gjykues.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballeshin me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte.