Skip to content
Kryesore

Bashkëshortja e Altin Hilës flet pas arrestimit: Protestonte për djalin tonë të paralizuar, nuk ia dal dot e vetme

· 5 min lexim

Arrestimi i Altin Hilës gjatë protestës qytetare ka nxjerrë në pah dramën e rëndë me të cilën përballet familja e tij prej vitesh. Babai i një djali 9-vjeçar me aftësi të kufizuara ndodhet në qeli, ndërsa bashkëshortja thotë se ka mbetur e vetme për t’u kujdesur për fëmijën, i cili kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe trajtime të kushtueshme.

Në një intervistë për Syri TV, ajo rrëfen se Altini mori pjesë në protestë që prej ditës së parë, sepse familja nuk ka gjetur asnjë zgjidhje nga institucionet shqiptare për gjendjen e të birit.

“Altinin e kanë arrestuar edhe është brenda në burg, në qeli. Edhe unë nuk kam folur, vetëm pak. Kam folur nja as 6 sekondë. Më kanë thënë që më kanë arrestuar edhe jam brenda, dhe ja kanë marrë telefonin, ia kanë fikur. Që dje unë s’kam folur. Për djalin jam unë. Unë kam qenë në punë. Domethënë, punoja me një hotel. Altini ka shkuar në protestë që në ditën e parë të protestës me gjithë djalin, me të drejtën e tij sepse nuk po gjejmë një rrugëzgjidhje. Nuk e kemi gjetur në Shqipëri një rrugëzgjidhje, edhe prandaj e ka shtyrë me dalë në protestë”, thotë ajo.

Sipas bashkëshortes, djali ka pësuar dëmtime që në lindje dhe për nëntë vite, sipas saj, në Shqipëri ka marrë vetëm medikamentin Luminal, pa trajtim tjetër të specializuar. Ajo tregon se zgjidhja erdhi vetëm pasi arriti të shkonte në Francë, ku fëmija iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente që i shpëtoi jetën.

“Djalin e kam zbuluar që kur ka lindur. Djalin domethënë ma ka vrarë doktoresha gjatë lindjes. Domethënë që nëntë vjet, djali ka përdorur vetëm Luminal në Shqipëri. Pastaj kam shkuar zvarrë në Francë, atje e kam bërë operacion edhe e ushqej që dy vjet. Djali nuk ushqehet fare nga goja. Vetëm nga pegu. Nga goja fare as ujë, as ushqim, asgjë. Domethënë në Shqipëri nuk ka qenë, vetëm i kanë dhënë të pijë Luminal dhe asgjë më shumë. As operacion, asgjë. Operacionin ma ka mundësuar Franca, sepse shkova zvarrë. E panë që jeta e djalit rrezikon dhe u desh një ndërhyrje e menjëhershme që djali po mbijeton sot”, shprehet ajo.

Familja jeton me të ardhura minimale. Altini përfiton 130 mijë lekë të vjetra si kujdestar, ndërsa djali merr 280 mijë lekë të vjetra invaliditet. Megjithatë, shpenzimet mujore janë shumë më të larta, pasi fëmija ushqehet vetëm me ushqim të posaçëm që blihet në farmaci, ndërsa nevojiten vazhdimisht edhe tuba, shiringa dhe medikamente për epilepsinë.

“Altini merr 130 si kujdestar që kujdeset për Aleandron. Edhe djali merr 280. Djali domethënë merr kura që kur ka lindur e deri tani, me kura është. Përdorim Depakinën, i përdorim për epilepsi se e zë vonesa nga epilepsia. Madje dje e zuri epilepsia dhe u trembëm shumë, sepse vetëm, burri brenda, e vetme unë. Po falënderoj të gjithë shqiptarët, Zoti i ruajtë kudo që janë, që kanë kontribuar për familjen time, për djalin tim. Unë s’kam banesë, jetoj me qira. 350 mijë lekë qiraja, 100 mijë lekë ujë drita. Unë marr një rrogë 600 mijë lekëshe dhe nja 500 që i bije të marrë Altini me Aleandron. Ato i do Aleandro, ushqehet me ushqim të gatshëm që ia blej në farmaci, kushton 5 mijë lekë një shishe. Plus tuba, plus shiringa, ato janë të veçanta, plus ilaçet e çdo gjë.”

Ajo tregon se është detyruar të lërë punën për t’u kujdesur për djalin, ndërsa shton se edhe Altini ka probleme serioze shëndetësore pas një aksidenti në Greqi dhe një operacioni për hernie diskale. Sipas saj, familja vazhdon të jetë në borxhe dhe nuk ka mundësi të përballojë e vetme të gjitha shpenzimet.

“Shumë, se po e vuaj edhe unë, edhe fëmijët. E kam lënë punën fare. E kam lënë sepse s’mund të lë djalin vetëm. Duhet të rrijë njëri se s’bën në shtëpi. Ose unë, ose Altini. Altini ka pësuar një aksident në Greqi dhe ka dhimbje koke. Po në Shqipëri nuk ka bërë ashtu… vizita, gjëra, përdor një ilaç për tensionin e lartë. Edhe s’punon dot, është bërë operacion nga hernia diskale para dy vjetësh, edhe ja ka marrë lekët e operacionit vëllait të Altinit. Akoma janë borxh, se s’kanë pasur. Unë s’ia dal dot me Aleandron, për hallet e tjera domethënë. Nga shteti, të më rimbursojë të paktën ushqimin e djalit. Të ketë ndonjë fizioterapist për djalin, kam shkuar për fizioterapi, nuk ma mundësojnë. Ushqimin jo, tubat jo. Çdo gjë në kurrizin tonë.”

Pas bërjes publike të rastit gjatë protestës dhe arrestimit të Altin Hilës, shqiptarët u organizuan duke hapur një GoFundMe për të ndihmuar familjen në nevojë, duke mbledhur shifra që i kaluan 100,000 euro pa mbushur 24 orë.

Nëse edhe ti dëshiron të kontribuosh për këtë familje, kliko këtu.