Skip to content
Kryesore

“Baks Bay” i “Gener 2” nën hetim/ GJKKO pranon ankimin e banorëve të Rrjollit dhe urdhëron SPAK të regjistrojë procedimin penal

· 1 min lexim

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar ankimin e banorëve të Rrjollit dhe ka urdhëruar SPAK të regjistrojë procedimin penal e të nisë hetimet për pretendimet që lidhen me projektin “Baks Bay”. Vendimi vjen pasi SPAK kishte vendosur më herët mosfillimin e hetimeve.

Lajmi është bërë i ditur nga banorët përmes përfaqësueses së tyre, Luçiana Koka. Sipas tyre, gjyqtarja Flojera Davidhi ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme të hetojë pretendimet e ngritura në kallëzimin penal.

Në qendër të çështjes janë pretendimet e banorëve për parregullsi në dokumentacionin e pronësisë dhe në procedurat e ndjekura për realizimin e “Baks Bay”. Ata pretendojnë se projekti po zhvillohet në një territor të përfituar në mënyrë të paligjshme.

Në kallëzimin penal janë ngritur pretendime për falsifikim dokumentesh ndaj Fatmir Shpellzës, ndërsa ndaj kompanisë “Gener 2” janë ngritur pretendime për ndërtim të paligjshëm.

Vendimi i GJKKO-së detyron tashmë SPAK të regjistrojë procedimin dhe të verifikojë pretendimet e paraqitura nga banorët. Nisja e hetimeve nuk nënkupton se pretendimet janë provuar, por se ato do t’i nënshtrohen hetimit nga Prokuroria e Posaçme.