Atentati me 4 të plagosur në Elbasan/ Dyshohet se objektivi ishte nipi i “Ot Kilës”, autori përdori maskë silikoni dhe paruke

Hetimet për atentatin e ndodhur mbrëmjen e së hënës në një lokal në lagjen “Vullnetari”, të njohur si zona e “Banesave” në Elbasan, kanë marrë një tjetër drejtim. Përveç pistës së një konflikti të çastit, grupi hetimor po shqyrton mundësinë që autori të ketë ngatërruar shënjestrën dhe se objektivi i vërtetë mund të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”.
Sipas informacioneve, nipi i Ot Kilës ndodhej në të njëjtin lokal në momentin e sulmit dhe ishte ulur në të njëjtën tavolinë me dy prej të plagosurve. Autori, i maskuar, hapi zjarr me armë zjarri, duke plagosur Armand Tomorricën dhe Renaldo Mancen. Nga të shtënat u plagos aksidentalisht edhe kamerieri 19 vjeçar, Biorgi Hoxha, ndërsa burime bëjnë me dije se një klient tjetër ka marrë plagë të lehta.
Të plagosurit, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, janë marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe nuk kanë konflikte me persona të tjerë. Në pyetje është marrë edhe nipi i Ot Kilës, i cili ka dhënë të njëjtin qëndrim, duke mohuar ekzistencën e ndonjë konflikti.
Hetimet kanë zbuluar se autori ishte përgatitur me kujdes për të shmangur identifikimin. Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë me paruke me flokë të gjata dhe maskë silikoni, çka forcon dyshimet se sulmi ishte planifikuar. Pasi qëlloi gjashtë herë me pistoletë, autori u largua në këmbë nëpër rrugicat e lagjes, duke arritur t’i shpëtojë ndjekjes së një efektivi policie që ndodhej rastësisht në lokal. Gjatë arratisjes ai hodhi armën e krimit, e cila është sekuestruar nga hetuesit.
Kush është Ot Kila?
Kastriot Kila, i njohur si “Ot Kila”, është një emër me precedentë penalë dhe konsiderohet prej kohësh rival i Suel Çelës. Ai i ka mbijetuar të paktën katër atentateve, mes tyre edhe një sulmi të porositur në vitin 2022, që sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani ishte organizuar nga Suel Çela. Sipas Dumanit, arsyeja ishte se Ot Kila strehonte dhe ndihmonte Talo Çelën. Atentati dështoi dhe i plagosur mbeti vetë Dumani.
Po ashtu, edhe Erion Alibej dyshohet se kishte porositur nga qelia një atentat ndaj Ot Kilës në vitin 2023, por edhe ai plan nuk u realizua.
Në vitin 2018, Ot Kila u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, ku autoritetet e akuzonin për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik narkotikësh, mashtrim dhe kallëzim të rremë. Dy muaj pas arrestimit, Prokuroria e Elbasanit sekuestroi pasuri të regjistruara në emër të tij dhe familjarëve, me vlerë të deklaruar rreth 71 milionë lekë. Mes tyre përfshiheshin një godinë pesëkatëshe, toka, njësi shërbimi, shoqëria “Kila Trans”, 39 automjete luksoze dhe gjashtë motomjete, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Më vonë, Gjykata e Elbasanit vendosi lirimin e tij nga paraburgimi, duke caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.