Në fillim, kur protesta nisi të merrte vëmendje dhe qytetarët po dilnin çdo ditë në shesh, pjesa më e madhe e personazheve publikë heshti. Si zakonisht.
Heshtën ata që për çdo temë tjetër kanë mendim. Ata që flasin për modë, për pushime, për marka, për evente, për moral, për gjithçka që ua mban rehatinë të paprekur. Por kur erdhi momenti për të folur për një kauzë qytetare, për pushtet, oligarkë, interesa dhe përgjegjësi publike, zëri i tyre u zhduk.
Dihet pse.
Prandaj ata pak që reaguan u vunë re. Dhe u vlerësuan. Sepse, të paktën në atë moment, zgjodhën të dilnin nga zona e rehatisë. Folën, postuan, mbështetën protestën dhe krijuan përshtypjen se po vendoseshin në krah të qytetarëve.
Mirëpo më vonë çfarë ndodhi?
Sepse dy ditët e fundit edhe ata pak zëra që u dëgjuan në fillim, po shuhen pa kuptuar. Më pak reagime. Më pak qëndrim. Më tepër distancim.
Dhe heshtja, kur vjen menjëherë pas një pozicionimi publik, bie më shumë në sy.
Kur një protestë prek pushtetin, oligarkët, mediat, interesat ekonomike dhe lidhjet e vjetra, tërheqja e papritur lë të kuptohet se diku ka mbërritur mesazhi. Duket sikur telefonatat, presioni, frika apo interesat kanë bërë punën e tyre.
U trembët? U bindët? U blenë vallë zërat tuaj? Apo thjesht e kuptuat se mbështetja e protestës kishte kosto më të madhe se një story?
Akuzat kërkojnë prova. Fjala tradhtar kërkon përgjegjësi. Por publiku ka të drejtë të pyesë. Sepse kur ke ndikim, kur ke ndjekës, kur ke mikrofon dhe kur zgjedh të flasësh një ditë, heshtja jote ditën tjetër ka kuptim.
Protesta kërkon zë edhe kur sjell kosto. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje edhe kur presioni rritet. Një postim në fillim u vlerësua, por qëndrimi matet me vazhdimësi.
Ata pak që folën në fillim patën peshë.
Prandaj heshtja e tyre sot peshon edhe më shumë.
Kur folët, u patë. Kur heshtët, po shiheni prapë. Ku jeni tani?








