Skip to content
Kryesore

Arresti i Vlora Hysenit jehonë jashtë vendit, media e njohur franceze: Skandali i fundit që godet Ramën, pas muajsh protesta

· 2 min lexim

Çështja e Vlora Hysenit dhe hetimet që kanë përfshirë drejtues e ish-drejtues të institucioneve të rëndësishme të sigurisë në Shqipëri po marrin jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Agjencia franceze e lajmeve AFP i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit, duke e cilësuar çështjen si “skandali i fundit i korrupsionit që godet qeverinë e kryeministrit Edi Rama”, në një kohë kur, sipas saj, kreu i qeverisë po përballet prej muajsh me protesta.

Prokurorët që merren me çështjet e korrupsionit kanë lëshuar të martën një urdhër arresti ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në kuadër të një hetimi për korrupsion, ku është përfshirë gjithashtu një zyrtar i lartë i policisë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri të ditur në një komunikatë se ka urdhëruar pezullimin nga detyra dhe vendosjen në arrest shtëpie të zonjës Hyseni, e dyshuar se ka nxjerrë informacione konfidenciale.

“Sipas mediave lokale, Vlora Hyseni aktualisht nuk ndodhet në vend. Ky është skandali i fundit i korrupsionit që godet qeverinë e kryeministrit Edi Rama, i cili prej disa muajsh përballet me një lëvizje protestash kundër një projekti të diskutueshëm për një kompleks turistik në jug të vendit, të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner”, shkruan AFP.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, është arrestuar gjithashtu drejtuesi i sektorit të Institutit të Policisë Shkencore. Hyseni drejton që prej vitit 2023 Shërbimin Informativ të Shtetit shqiptar (SHISH).

AFP ndalet gjithashtu te emërimi i saj, duke shkruar se ai kishte shkaktuar kritika në Shqipëri për shkak të shtetësisë së saj kosovare dhe funksionit të mëparshëm si numri dy i shërbimeve të inteligjencës së Kosovës, nga i cili ajo ishte shkarkuar.

Në artikull përmendet edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shkarkuar më herët gjatë këtij viti, i cili u paraqit të martën në mëngjes në SPAK në kuadër të së njëjtës çështje.

Hetimi, sipas AFP-së, përfshin gjithashtu Ermal Beqirajn, të arrestuar në Francë në fund të gushtit, si dhe biznesmenin Ergys Agasi, të arrestuar më 26 gusht.