“Arkiva” e Agasit zgjerohet/ Fundo: Komunikimet me Hysenin shkojnë deri te Veliaj

Qindra mesazhe, telefonata dhe videokomunikime mes Ergys Agasit dhe ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, po nxjerrin në dritë detaje të reja mbi kontaktet e vazhdueshme mes tyre. Por, sipas gazetarit Elvi Fundo, komunikimet e zbardhura nga telefoni i Agasit nuk ndalen vetëm te Hyseni dhe shkojnë deri te kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj.
Në emisionin “Opinion”, Fundo deklaroi se ka dijeni për komunikime të Agasit që lidhen me Veliajn dhe se mesazhe për çështjen e tij janë përcjellë edhe nga Hyseni. Gazetari pretendoi gjithashtu se ish-drejtuesja e SHISH-it ka ndërhyrë në emër të Agasit dhe Veliajt në procesin për zgjedhjen e Naureda Llagamit në Gjykatën Kushtetuese.
“Këto janë në kuadër të fjalëve, por di se ka komunikime me Erion Veliajn, Ergys Agasi. Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni kanë çuar mesazhe për çështjen e Erion Veliajt. Është kryetarja e SHISH e cila ka ndërhyrë në emër të Agasit dhe Veliajt për zgjedhjen e gjyqtares së Kushtetueses, Naureda Llagamit. Naureda Llagami është një ish-punonjëse e Ajola Xoxës. Nuk është vetëm Ergys Agasi që ka një lidhje me zonjën e SHISH”, deklaroi Fundo.
Pretendimet e gazetarit për Veliajn dhe Llagamin mbeten deklarata të tij publike. Ndërkohë, materialet e bëra publike për komunikimet Agasi-Hyseni tregojnë një volum të konsiderueshëm kontaktesh. Për periudhën 28 qershor–26 gusht 2026 janë evidentuar gjithsej 508 forma komunikimi përmes aplikacionit “Signal”, përfshirë mesazhe, telefonata zanore dhe video.
Hyseni ka pranuar para SPAK komunikimin e vazhdueshëm me Agasin deri në ditën e arrestimit të tij, duke deklaruar se ai i kishte ofruar “bashkëpunim”. Ajo ka mohuar takimet fizike me të dhe faktin që Agasi të ketë marrë informacione nga SHISH. Në materialet hetimore të publikuara në media, megjithatë, prokuroria argumenton se natyra dhe intensiteti i komunikimeve nuk përputhen me versionin e një raporti të zakonshëm me një bashkëpunëtor.
Në dosje përmenden gjithashtu materiale të klasifikuara të SHISH-it të sekuestruara gjatë hetimeve, ndërsa komunikimet e publikuara tregojnë se Hyseni dhe Agasi kanë mbajtur kontakte edhe gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim. Sipas materialeve të cituara nga mediat, drejtuesja e SHISH-it nuk kishte vënë në dijeni instancat e tjera brenda apo jashtë institucionit për këtë raport komunikimi.
Ndërsa hetimi vijon, telefonat e sekuestruar po shfaqen si një pjesë kyçe e dosjes. Vetë Fundo i përshkroi materialet në duart e SPAK si një “thesar”, duke deklaruar se historia e Agasit nuk fillon dhe nuk përfundon me Vlora Hysenin.