Skip to content
Kryesore

“Ari i Zi 2”/ 400 mijë litra naftë të sekuestruara, 6 të arrestuar në Durrës

· 1 min lexim

Brenda 24 orëve, policia ka finalizuar një tjetër operacion të suksesshëm kundër kontrabandimit të naftës nga Tunizia.

Operacioni i koduar “Ari i Zi 2” çoi në sekuestrimin e 400 000 litrave naftë të fshehura në balastrat e anijes dhe arrestimin e gjashtë pjesëtarëve të ekuipazhit.

Në pranga përfunduan shtetas sirianë dhe egjiptianë, përfshirë kapitenin e anijes, ndihmësin e oficerit të parë, shefin e inxhinierëve, shefin e ofiçinës, mirëmbajtësin e pompave të naftës, si dhe një shtetas shqiptar, oficer i parë.

Pesë anëtarë të tjerë të ekuipazhit janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa dy organizatorët kryesorë, banues në Tiranë dhe Durrës, janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me Antikontrabandën, Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, Guardia di Finanza dhe Degën e Doganës Durrës.

Një ditë më parë, gjatë operacionit të parë “Ari i Zi”, u sekuestruan 670 000 litra naftë e kontrabanduar me të njëjtën mënyrë dhe u identifikuan dhjetë persona të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.