77 vota në mesnatë/ PS u hap rrugën hoteleve luksoze për 10 vite pa tatim fitimi, pa transparencë dhe pa shpjegime

Në mesnatë, ndërsa Kuvendi diskutonte paketën fiskale për vitin 2027, mazhoranca socialiste miratoi me 77 vota pro një amendament që zgjat deri në dhjetor 2029 afatin për përfitimin e përjashtimit 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin për hotelet dhe resortet me katër dhe pesë yje, me status special dhe markë ndërkombëtare.
Amendamenti, i propozuar nga deputetja socialiste Brisejda Çakërri, u hodh papritur në votim, ndërkohë që diskutimet parlamentare vijonin. Deputetja nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës dhe Kuvendi kaloi drejtpërdrejt në votim.
Sipas informacioneve të bëra publike, amendamenti nuk ishte publikuar paraprakisht dhe as nuk ishte diskutuar në komisionet parlamentare.
Një vendim me pasoja potencialisht shumëvjeçare për të ardhurat e shtetit mori kështu miratimin e Kuvendit, pa një shpjegim publik nga vetë deputetja që e propozoi.
Tre vite shtyrje, një dekadë përjashtim nga tatimi
Ndryshimi nuk nënkupton thjesht tre vite shtesë lehtësish fiskale. Ai u krijon mundësinë investimeve që marrin statusin special deri në dhjetor 2029 të përfitojnë një dekadë të plotë përjashtimi nga tatimi mbi fitimin.
Skema, e prezantuar në vitin 2018 për të nxitur investimet në turizëm, po zgjatet sërish, ndërsa mbetet për t’u dokumentuar se sa të ardhura ka humbur buxheti nga këto përjashtime, sa investime janë realizuar falë tyre dhe nëse përfitimet ekonomike justifikojnë vazhdimin e kësaj politike.
Nëse dispozitat e tjera ligjore mbeten të pandryshuara, efektet e amendamentit mund të shtrihen deri në vitin 2044.
Kjo pasi ligji nr. 9/2025 u lejon subjekteve përfituese që efektet e përjashtimit tatimor të nisin me fillimin e aktivitetit ekonomik, por jo më vonë se pesë vite nga marrja e statusit special.
Miliona euro përjashtime tatimore, por ku është fatura për buxhetin?
Një resort që realizon 10 milionë euro fitim të tatueshëm në vit, me normën standarde të tatimit prej 15%, do të paguante 1.5 milionë euro në vit. Me përjashtimin dhjetëvjeçar, përfitimi fiskal mund të arrinte në 15 milionë euro, nëse fitimi mbetet konstant.
Ky është vetëm një shembull ilustrues, por tregon përmasat financiare që mund të marrë një amendament i votuar pa një diskutim të plotë publik mbi kostot dhe përfitimet e tij.
Ndërkohë që familjet shqiptare përballen me rritjen e kostos së jetesës dhe bizneset e tjera duhet të përmbushin detyrimet e tyre fiskale, një kategori e përzgjedhur investimesh vijon të përfitojë përjashtime të konsiderueshme tatimore.
Nxitja e investimeve në turizëm mund të jetë një objektiv ekonomik, por nuk e përjashton detyrimin e qeverisë për të argumentuar kostot, rezultatet dhe domosdoshmërinë e lehtësive që miraton.
Kush përfiton nga amendamenti i Brisejda Çakërrit?
Opozita kundërshtoi amendamentin, duke ngritur akuza për mungesën e transparencës dhe miratimin e ligjeve që favorizojnë klientët e pushtetit. Megjithatë, mazhoranca vijoi me votimin, pa u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura gjatë seancës.
Përtej akuzave politike, mbetet përgjegjësi e Kuvendit dhe e Ministrisë së Financave të bëjnë publike listën e përfituesve, koston financiare të përjashtimeve tatimore dhe argumentet ekonomike që justifikojnë zgjatjen e këtij trajtimi preferencial.
Institucionet duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve konkrete:
-
Cilat kompani kanë përfituar nga kjo skemë që prej vitit 2018?
-
Cilat investime pritet të përfitojnë nga shtyrja e afatit deri në vitin 2029?
-
Sa milionë euro të ardhura tatimore parashikohet të mos arkëtojë shteti?
-
Mbi çfarë studimi ekonomik mbështetet amendamenti?
-
Përse propozimi nuk iu nënshtrua diskutimit paraprak në komisionet parlamentare?
-
Përse deputetja propozuese nuk dha shpjegime përpara votimit?
Përjashtimet tatimore nuk janë pa kosto. Ato ndikojnë në të ardhurat publike, konkurrencën ndërmjet bizneseve dhe mundësitë e shtetit për financimin e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe shërbimeve të tjera publike.
Kuvendi siguroi 77 vota për zgjatjen e përfitimeve fiskale të hoteleve luksoze. Por qytetarët kanë të drejtë të dinë se për kë u ngritën ato 77 duar në mesnatë, sa u kushton ky vendim financave publike dhe çfarë përfiton Shqipëria në këmbim.