7 vite nga tërmeti/ 51 jetë të humbura, qindra familje ende pa shtëpitë e premtuara

51 persona humbën jetën, mbi 900 mbetën të plagosur, rreth 17 mijë njerëz u zhvendosën përkohësisht, ndërsa mbi 200 mijë qytetarë në 11 bashki u prekën nga pasojat e fatkeqësisë.
Durrësi dhe Thumana u kthyen në epiqendrat e dhimbjes kombëtare. Ekipet e shpëtimit kërkonin nën rrënoja, ndërsa shqiptarët brenda dhe jashtë vendit u mobilizuan në një valë të jashtëzakonshme solidariteti.
Shtatë vite më vonë, familjet e viktimave vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e humbjes, ndërsa qindra familje të prekura nga tërmeti ende presin që shteti të përmbushë premtimin për strehimin e tyre.
Premtimet e vitit 2019, të papërmbushura edhe në vitin 2026
Pak kohë pas tragjedisë, Edi Rama premtoi se brenda vitit 2020 qytetarët që kishin humbur banesat individuale do të sistemoheshin në shtëpitë e reja.
Më 5 dhjetor 2019, ministri i atëhershëm për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, deklaronte në Kuvend se deri në Krishtlindjet e vitit 2020, 80–90% e familjeve të mbetura pa strehë do të hynin në banesat e reja.
Afatet ndryshuan vazhdimisht. Nga viti 2020, përfundimi i rindërtimit u zhvendos në vitet pasardhëse, ndërsa programi qeverisës i mandatit të tretë parashikonte eliminimin e gjurmëve të tërmetit deri në fund të pranverës së vitit 2022.
Sot, në nëntor të vitit 2026, rindërtimi ende nuk ka përfunduar.
29 qytetarë ndërruan jetë duke pritur shtëpitë
Vetëm dy ditë më parë, Gazeta Reforma publikoi të dhënat e një investigimi të BIRN mbi zvarritjen e procesit të rindërtimit në kryeqytet.
Në regjistrat e Bashkisë së Tiranës, për 29 përfitues, në vend të adresës së banesës së re, figuron shënimi: “Ka ndërruar jetë”.
Ata nuk arritën të merrnin çelësat e shtëpive që u ishin premtuar.
Në dhjetor 2025, 463 familje rezultonin ende në pritje të banesave, rreth 80% e të cilave në zonën e Kombinatit. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, 865 familje në Tiranë vijonin të përfitonin bonusin e qirasë, për të cilin bashkia shpenzoi rreth 137 milionë lekë.
Për përfundimin e procesit ende nuk ka një afat të përcaktuar.
104 miliardë lekë të shpenzuara, rindërtimi ende i papërfunduar
Më 17 shkurt 2020, në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, komuniteti ndërkombëtar u angazhua për një mbështetje prej 1.15 miliardë eurosh, në formën e granteve dhe kredive, për rimëkëmbjen e Shqipërisë.
Ndërkohë, shpenzimet faktike për rindërtimin nga buxheti shqiptar, deri në nëntëmujorin e vitit 2026, kanë arritur në rreth 104 miliardë lekë.
Vetëm në Tiranë, detyrimet e papaguara nga kontratat e rindërtimit arrijnë në 5.3 miliardë lekë.
Më 16 nëntor 2026, qeveria njoftoi përgatitjen e një financimi shtesë prej 1.8 miliardë lekësh për kryeqytetin, një shumë që mbulon vetëm rreth një të tretën e detyrimeve të mbetura.
Pas shtatë vitesh, familjet përballen ende me afate të papërcaktuara dhe premtime të reja financimi.
A janë nxjerrë mësimet nga tragjedia?
Përtej rindërtimit, shqetësuese mbetet edhe siguria e ndërtesave ekzistuese.
Më herët raportuam mbi ndërhyrjet e pakontrolluara në pallatet e Durrësit dhe shkeljet e evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në veprimtarinë e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Ndërhyrjet në strukturat mbajtëse të ndërtesave pa kontrollin e duhur teknik vazhdojnë të përbëjnë rrezik, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve pas tragjedisë së vitit 2019.
Sipas investigimit të BIRN, në Durrës mungon edhe një simbol përkujtimor kushtuar tragjedisë dhe rëndësisë së sigurisë së ndërtesave.
Shtatë vite pas asaj nate tragjike, përkujtimi i viktimave nuk mund të kufizohet vetëm te homazhet dhe deklaratat institucionale të çdo 26 nëntori.
Ai kërkon përgjegjësi për sigurinë e ndërtimeve, transparencë për përdorimin e fondeve, përmbushjen e premtimeve dhe respektimin e të drejtave të familjeve që humbën banesat.
51 jetë që nuk mund të rikthehen. 29 qytetarë që nuk jetuan dot aq sa të merrnin shtëpitë e premtuara. Qindra familje që ende presin.
Shtatë vite më vonë, Shqipëria kujton viktimat, por institucionet kanë ende detyrime të papërmbushura ndaj të mbijetuarve.