Skip to content
Kryesore

60 studentë përfunduan në spital, “SORI-AL” fajëson sanduiçet nga jashtë dhe duart e palara: AKU e zhbllokoi pas helmimit të parë, Prokuroria ende pa përgjigje

· 4 min lexim

Helmimi i rreth 60 studentëve në Akademinë e Sigurisë ka marrë një tjetër kthesë, pasi kompania e kateringut “SORI-AL”, në vend që të japë shpjegime për episodin e dytë brenda pak muajsh, ka hedhur dyshime se burimi i problemit mund të jetë vetë sjellja e studentëve.

Në reagimin e saj zyrtar, kompania thotë se gjatë monitorimeve ka konstatuar raste të futjes dhe konsumimit të ushqimeve të porositura nga jashtë në ambientet e Akademisë. Gjithashtu përmend mungesën e ujit të ngrohtë dhe detergjentit për larjen e duarve, si edhe faktin se studentët konsumojnë ushqimin menjëherë pas stërvitjes.

Por ky reagim hap edhe më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.

Nëse “SORI-AL” kishte konstatuar se në ambientet ku shërbehej ushqimi mungonin ujë i ngrohtë dhe detergjenti për larjen e duarve, a i kishte njoftuar më parë institucionet përgjegjëse? A kishte kërkuar marrjen e masave? Dhe nëse studentët konsumonin ushqime të sjella nga jashtë, kush kishte detyrimin të kontrollonte dhe të zbatonte rregullat brenda Akademisë së Sigurisë?

Këto pretendime bëhen publike vetëm pasi dhjetëra studentë përfunduan në spital.

Ngjarja është edhe më shqetësuese sepse nuk është rasti i parë.

Vetëm pak muaj më parë, 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën me simptoma të ngjashme. Analizat zyrtare të kryera atëherë konstatuan se një mostër makaronash rezultoi e kontaminuar me bakteret Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulazë pozitiv.

Pas atij episodi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Blerina Gjylameti, bllokoi aktivitetin e “SORI-AL”, vendosi një gjobë prej 1.5 milionë lekësh dhe njoftoi se ishin konstatuar shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore.

Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, AKU njoftoi zhbllokimin e aktivitetit të kompanisë, duke argumentuar se analizat e higjienës ambientale dhe të pajisjeve të punës rezultonin brenda normave të lejuara.

Sot, pas helmimit të dytë masiv, lind natyrshëm pyetja: çfarë ndryshoi realisht pas episodit të parë?

A u vendos një regjim i posaçëm kontrolli për operatorin që vazhdonte të furnizonte Akademinë e Sigurisë? A u shtuan inspektimet? A u monitorua zbatimi i standardeve? Deri tani nuk ka pasur një sqarim publik për këto çështje.

Po aq pikëpyetje ngrihen edhe për Prokurorinë.

Pas helmimit të parë u njoftua nisja e hetimeve, u kërkua dokumentacion nga AKU, u administruan kartelat mjekësore të studentëve dhe u morën në pyetje persona që kishin dijeni për ngjarjen. Megjithatë, deri më sot nuk është bërë publik asnjë përfundim mbi përgjegjësitë e episodit të parë.

Nëse hetimi do të ishte mbyllur me përgjegjësi të qarta dhe me masa konkrete, a do të ishte shmangur një episod i dytë?

Në qendër të kësaj historie mbetet “SORI-AL”, kompani në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës, e cila në shkurt të vitit 2025 fitoi tenderin për “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët në Akademinë e Sigurisë”, me një vlerë prej rreth 2.7 miliardë lekësh. Kontrata parashikon furnizimin me tre vakte ushqimore në ditë deri në vitin 2027.

Kompania ka gjithashtu kontrata të tjera publike për furnizim me ushqim në institucione shtetërore, përfshirë Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, Spitalin Rajonal të Beratit, Repartin Ushtarak nr. 5004 në Zall Herr dhe Repartin Ushtarak nr. 5001 në Tiranë.

Results laboratorike për episodin e fundit ende nuk janë bërë publike dhe shkaku zyrtar i helmimit mbetet në hetim.

Megjithatë, një fakt nuk ndryshon. Brenda pak muajsh, në të njëjtin institucion janë regjistruar dy episode të helmimit masiv të studentëve. Pas rastit të parë pati bllokim aktiviteti, gjobë, hetime dhe më pas zhbllokim të kompanisë. Sot, studentët janë sërish në spital.

Prandaj, krahas analizave laboratorike që do të përcaktojnë shkakun e episodit të fundit, përgjigje duhet të japin edhe institucionet. AKU duhet të sqarojë pse e konsideroi të sigurt rikthimin në aktivitet të operatorit pas helmimit të parë. Prokuroria duhet të shpjegojë ku ka mbetur hetimi i nisur muaj më parë. Ndërsa Akademia e Sigurisë duhet të sqarojë nëse pretendimet e kompanisë për mungesë uji të ngrohtë, detergjenti dhe futje të pakontrolluar të ushqimeve nga jashtë kanë ekzistuar realisht dhe, nëse po, pse nuk janë adresuar në kohë.