Skip to content
Kryesore

29 Nëntor, përkujtohet sot 80-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë

· 1 min lexim

Sot, më 29 Nëntor, Shqipëria përkujton 80-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ushtria Nacional Çlirimtare zhvilloi një luftë të gjatë e të ashpër për lirinë e vendit, duke udhëhequr kryengritjen e armatosur kundër okupimit.

Nga 7 prilli i vitit 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, e deri në nëntor të vitit 1944, vendi kaloi një periudhë të errët pushtimi.

Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, Shqipëria ra nën kontrollin e forcave gjermane. Lufta për çlirim arriti kulmin në nëntor të vitit 1944, kur Tirana u çlirua më 17 nëntor, ndërsa Shkodra dhe zona e saj përfundimisht më 29 nëntor, duke shënuar kështu fundin e pushtimit gjerman.

Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që arriti të çlirohej kryesisht me forcat e veta, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit u ndihmuan nga Ushtria e Kuqe.

Si çdo vit, edhe sot pritet që autoritetet më të larta shtetërore të zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e atyre që luftuan për lirinë e Shqipërisë.