Skip to content
Kryesore

Zjarrfikësit heronj, të sëmurë, me brinjë të dëmtuara e pa mjetet e nevojshme luftojnë me flakët: “Nuk dorëzohemi deri në fund”

· 3 min lexim

Të sfilitur nga ditë e net pa gjumë, disa me temperaturë të lartë, të tjerë të dëmtuar fizikisht dhe pa mjetet e nevojshme, zjarrfikësit e Krujës vazhdojnë betejën me flakët. Mes tyre është edhe zjarrfikësi Ali Tupi, i cili prej një jave ndodhet në krye të detyrës, pavarësisht dëmtimeve në brinjë dhe gjendjes së rënduar shëndetësore.

Në një prononcim për Report Tv, Tupi tregon në celular grafinë e kraharorit ku shihen dëmtimet në brinjë, ndërsa nga xhepi nxjerr ilaçet që po përdor. Megjithatë, për të largimi nga detyra nuk është një alternativë.

I pyetur nëse është vetëm i lodhur apo edhe i sëmurë, ai përgjigjet: “Të dyja bashkë.”

-A jeni vizituar?

Ali Tupi: “Po, kam bërë grafi.”

-Me gjithë këtë gjendje të rënduar shëndetësore, si vazhdoni punë dhe vazhdoni të jeni lart moralisht? Çfarë ju shtyn?

Ali Tupi: “Duhet të vish në punë, do ta bëjmë me zemër e njerëzillëk.”

-Sa ditë keni në punë?

Ali Tupi: “Një javë.”

Por Ali Tupi nuk është i vetmi. Gjendjen e rëndë të efektivëve e përshkruan edhe Altin Shullazi, komandanti i zjarrfikësve që po luftojnë me zjarret në Krujë. Ai thotë se prej pesë ditësh e pesë netësh efektivët po përballen me flakët, pa gjumë dhe me probleme shëndetësore, por të vendosur të mos largohen derisa të shuhet edhe vatra e fundit.

Shullazi: “5 ditë e 5 net. Merremi e zjarrin në Krujë, nuk do të ndalojmë derisa të shuhet. Jemi të gjithë në punë.”

-Jeni lodhur e sfilitur, çfarë ju bën të keni moral kaq të lartë?

Altin Shullazi: “Na dhimbset ky qytet. Jemi lindur e rritur në këtë qytet, nuk duam të shkatërrohet.”

Situata bëhet edhe më prekëse kur komandanti tregon gjendjen në të cilën ndodhen kolegët e tij. Pavarësisht temperaturës së lartë, dëmtimeve dhe përdorimit të antibiotikëve, ata vazhdojnë të qëndrojnë në terren.

-Kemi informacion që disa prej jush janë me temperaturë, brinjë të thyera e antibiotikë.

Altin Shullazi: “Pjesa më e madhe janë me temperaturë 39-40, janë këtu. Nuk do të dorëzohemi deri në fund, derisa ta mbyllim edhe vatrën e fundit të zjarrit.”

Prej ditësh, këta zjarrfikës po luftojnë jo vetëm me flakët, por edhe me lodhjen, mungesën e gjumit dhe problemet shëndetësore. Në kushte të vështira dhe pa mjetet e nevojshme, ata vazhdojnë të qëndrojnë në vijën e parë për të mbrojtur Krujën, qytetin ku, siç thonë vetë, kanë lindur dhe janë rritur.

Me ilaçet në xhep, me temperaturë dhe me trupin e sfilitur, ata kanë zgjedhur të mos tërhiqen. Premtimi i tyre është i vetëm: beteja përfundon vetëm kur të jetë shuar vatra e fundit.