Zjarret në vend, 5 vatra ende aktive/ Situata më e rëndë në Dajt

Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa situata më problematike paraqitet në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës. Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 09:00 janë evidentuar gjithsej 31 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, prej të cilave 5 mbeten aktive dhe 5 të tjera janë nën monitorim.
Në operacionet për përballimin e flakëve janë angazhuar 319 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse. Në terren janë dislokuar gjithashtu 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatra më problematike mbetet ajo në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës. Për shuarjen e zjarrit po punojnë 15 forca zjarrfikëse, 9 efektivë të AdZM-së dhe 20 ushtarë të Forcave të Armatosura. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata mbetet aktive edhe në qarkun Dibër. Vatra zjarri raportohen në Vajkal, Lundre dhe Ballenjë, ndërsa zjarri në Sllatinë është izoluar dhe po mbahet nën monitorim. Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Lundre pritet të ndërhyjnë edhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në zonën Bershi–Kurdari–Patinë, në bashkinë Klos, vijojnë të jenë aktive dy vatra që kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh.
Në qarkun Korçë, zjarri në “Qafën e Lugut”, Vithkuq, është nën kontroll dhe zona po monitorohet. Nën mbikëqyrje mbeten edhe vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit, në qarkun Elbasan, ku nuk raportohet rrezik për banorët.
Ndërkohë, zjarri në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, i cili u vendos nën kontroll një ditë më parë, është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve, vatra të tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në qarqet Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë, Vlorë dhe Korçë janë shuar ose nuk paraqesin rrezik. Strukturat operacionale vijojnë monitorimin e situatës në terren.