Zjarret në vend, 33 vatra në 24 orë: 8 mbeten aktive, forcat në terren

Situata e zjarreve vijon të mbajë të angazhuara strukturat operacionale në disa zona të vendit. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 33 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, ndërsa 5 të tjera janë në monitorim.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht, në terren operojnë 120 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Një nga vatrat kryesore mbetet ajo në Malin e Dajtit, në Tiranë, ku puna vijon me 15 efektivë të MZSH-së, 10 forca të ADZM-së, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë vendosur nën kontroll dhe po monitorohen.
Angazhim i gjerë vijon edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku në terren ndodhen 115 forca bashkiake, 13 forca policore, 11 të ADZM-së, 14 efektivë të MZSH-së, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet gjithashtu nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës dhe Bruç, puna vazhdon në një terren të vështirë. Nga krahu i Bulqizës, zjarri në Qafë Helmës është fikur, ndërsa vatra mbetet aktive vetëm në drejtim të Selishtës. Edhe në këto dy zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës vijon ndërhyrja e forcave operacionale, pas hapjes së korridoreve ndarëse për të penguar përhapjen e flakëve. Operacioni mbështetet edhe nga një helikopter i Forcës Ajrore.
Ndërkohë, në Fushë-Lajë të Pukës janë angazhuar 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Rrjoll, situata vijon të monitorohet nga afër, përfshirë edhe përdorimin e dronit, ndërsa edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.