Skip to content
Kryesore

Zjarret në vend, 33 vatra në 24 orë/ 6 ende aktive, 10 nën monitorim

· 2 min lexim

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Në të gjithë territorin janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 10 të tjera mbahen nën monitorim nga strukturat operacionale.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 214 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Ndërhyrjet vijojnë në disa qarqe, ndërsa vëmendje e shtuar i është kushtuar situatës në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë punën në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive, si dhe për parandalimin e riaktivizimit të zjarreve.

“Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor vijojnë monitorimin e situatës dhe angazhimin në terren, me prioritet izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive, si dhe parandalimin e riaktivizimeve. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim.