Zjarret në vend/ 32 vatra në 24 orë, 6 ende aktive! Mbi 700 forca në terren

Situata me zjarret vijon të mbajë të angazhuara qindra forca në disa zona të vendit. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten ende aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet e zhvilluara gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Një nga operacionet më të mëdha vijon në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës, ku në terren ndodhen 190 forca. Konkretisht janë angazhuar 32 efektivë të MZSH-së me 7 mjete zjarrfikëse, 13 punonjës të shërbimit pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet gjithashtu nga një ekskavator, një mjet zjarrfikës dhe dy helikopterë të FA-së.
Në Tenë të Mirditës, ndërhyrja vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse të FA-së dhe Bashkisë Mirditë, si dhe me angazhimin e shërbimit pyjor dhe strukturave vendore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Aktive mbetet edhe vatra në Dukat të Vlorës, por zjarri paraqitet me intensitet të ulët. Gjatë ditës së sotme në terren operojnë 77 forca, mes tyre 10 efektivë të MZSH-së, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 55 efektivë të FA-së. Edhe në këtë zonë nuk raportohen banesa të rrezikuara.
Në Malin e Dajtit, në Tiranë, një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht, ndërsa ndërhyrja vazhdon në vatrat e mbetura me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Ministria bën të ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata është riaktivizuar në Bërshi të Klosit. Pasi zjarri ishte vënë nën kontroll, gjatë natës disa vatra janë riaktivizuar për shkak të erës. Në operacionin e deritanishëm janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të FA-së, si dhe mjete zjarrfikëse.
Ndërkohë, në Shtuf të Mirditës, vatra mbetet aktive. Ndërhyrja vijon në zonat ku terreni e lejon, ndërsa pjesët e thepisura po vështirësojnë përdorimin dhe ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.