Zjarret kërcënojnë Krujën, nis evakuimi i banorëve në lagjen “Abaze”

Situata nga zjarret në Krujë është përkeqësuar, ndërsa ka nisur evakuimi i banorëve në lagjen “Abaze”, për shkak të rrezikut që flakët paraqesin për banesat.
Forcat e Policisë kanë nisur nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë, ndërsa është marrë vendimi për evakuimin e zonave më të ekspozuara. Procesi është përqendruar veçanërisht te banesat pranë malit, ku ekziston rreziku i përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Autoritetet dhe ekipet e emergjencave vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa prioritet mbetet largimi i banorëve nga zonat e rrezikuara dhe garantimi i sigurisë së tyre.
Evakuimin e ka konfirmuar edhe ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
“Policia po nxjerr banorët nga shtëpia dhe ka nxjerrë urdhër evakuimi për banesat që janë të fokusuara në këtë pjesë. Banesat që janë në pjesën e majtë dhe afër malit, në lagjen ‘Abaze’, po evakuohet zona, sepse ka një rrezik potencial nga banorët në këtë pjesë”, u shpreh Kalaja.
Situata mbetet dinamike, ndërsa shërbimet e emergjencës vijojnë të jenë në terren për përballimin e zjarrit.