Skip to content
Rajoni

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, mediat: Ja kandidati i LDK-së përballë Albin Kurtit!

· 2 min lexim

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka konfirmuar zyrtarisht se Avdullah Hoti do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, Mustafa ka lavdëruar punën e Hotit gjatë kohës që ai ishte në krye të qeverisë.

“Vlerësimet tona janë se Qeveria nuk ka ra si pasojë e mospunës. Gjithë kjo ka ndodhë, jashtë fajit të Qeverisë.

Hoti ka punuar drejt, ka treguar drejt se edhe vetë edhe Qeveria i zbaton ligjet. Kjo na ka shty që edhe të jetë kandidat i yni për kryeministër sërish”, ka deklaruar Mustafa.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),  ka vendosur që nënkryetari i këtij subjekti dhe kreu i ekzekutivit të tanishëm, Avdullah Hoti, të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që priten të mbahen në fillim të vitit 2021.

Hoti do të garojë në këto zgjedhje kundër kreut të tanishëm të PDK-së, Enver Hoxhajt, ndërsa partitë tjera ende nuk kanë vendosur për kandidatët e tyre për kryeministër.

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se është duke pritur për aktgjykimin e Kushtetueses në mënyrë që Albin Kurti të nominohet për kryeministër.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka deklaruar se Ramush Haradinaj do të jetë vetëm bartës i listës e jo kandidat. Edhe ky subjekt pritet që të garojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ndërsa Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt sakaq ka paralajmëruar se do të bashkëpunojë me PDK-në për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare./Gazetareforma.com/