Zbulim tronditës në Zubin Potok/ Gjenden eshtrat e së paku 23 personave

Një zbulim i rëndë është bërë gjatë gërmimeve në Zubin Potok, ku ekipet e mjekësisë ligjore kanë gjetur mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave.
Gjetja është konfirmuar këtë të mërkurë, 19 gusht, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të operacionit të gërmimit dhe ekshumimit që po zhvillohet në lokacionet e dyshuara.
Sipas vlerësimit paraprak të ekspertëve mjeko-ligjorë, bëhet fjalë për mbetje të të paktën 23 individëve, ndërsa identiteti i tyre ende nuk dihet. Përgjigjet përfundimtare pritet të dalin pas ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe përfundimit të procedurave të identifikimit.
Rasti merr një peshë edhe më të rëndë për shkak të hetimit që po zhvillohet paralelisht. Tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., ndodhen në paraburgim dhe po hetohen nën dyshimin për “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, kanë bërë të ditur se hetimet dhe veprimet procedurale për rastin do të vazhdojnë.
Në komunikatën e përbashkët thuhet:
Prishtinë, 19 gusht 2026
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Insitutin e Mjekësisë Ligjore, njofton opinionin publik se, në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës.
Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë gjetur mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.
PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit.