Zbrazi karikaktorin drejt 5 të rinjve, autori u largua në drejtim të Laprakës

Një ngjarje tragjike me një viktimë është regjistruar në “Don Bosko” ku një person ka qëlluar me armë zjarri në një lokal në këtë zonë të Tiranës.
Mësohet se autori i sulmit ka zbrazur karikatorin dhe ka plagosur 4 persona, ndërsa ka lënë të vdekur një tjetër. Ngjarja ka ndodhur konkretisht në bllokun e banimit “Fiori Di Bosko”. Në një konflikt për motive të dobëta janë përplasur dy grupe të rinjsh.
Si pasojë e të shtënave, shtetasi Erjon Çela, 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selmani, 19 vjeç, Blerim Çela, 28 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç.
Njoftimi i Plotë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në “Don Bosko”, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.
Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.