Vrasja në Ksamil/ Sokrat Vata kapet në bagazhin e makinës, e ndihmuan dy turq

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 20-vjeçarit francez Miguel Mendez në Ksamil. Sokrat Vata, 29-vjeçari nga Hasi i dyshuar se e goditi për vdekje me thikë turistin dhe që punonte si truprojë në beach bar-in “Principotes”, është arrestuar disa orë pas krimit. Ai u kap në Levan, i fshehur në bagazhin e një automjeti, ndërsa në makinë ndodheshin një shtetas turk dhe një shtetase turke.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:15 të mëngjesit, në shezlongët përpara “Principotes”, një beach bar në Ksamil. Viktima, Miguel Mendez, kishte ardhur për të festuar, pasi mbrëmjen e kaluar në lokal ishte organizuar një festë me DJ francez. Ai ndodhej në shoqërinë e disa miqve të huaj kur u përfshi në një konflikt.
Sipas të dhënave të deritanishme, shkak i sherrit dyshohet se ka qenë ngacmimi i një vajze nga turisti francez. Konflikti u përshkallëzua dhe, sipas hetimeve paraprake, 20-vjeçari u nxor në pjesën e jashtme të lokalit, pas shezlongëve, ku dyshohet se Sokrat Vata e goditi me thikë.
Plagët rezultuan fatale për të riun francez, ndërsa 29-vjeçari u largua menjëherë nga vendngjarja.
Të tjera detaje janë zbardhur edhe për mënyrën se si Vata tentoi t’i shpëtonte Policisë. Menjëherë pas krimit, një shtetas turk dhe një shtetase turke e ndihmuan të largohej. Ata dyshohet se e futën 29-vjeçarin në bagazhin e një automjeti dhe u nisën nga Ksamili.
Arratisja zgjati vetëm disa orë. Sipas të njëjtave raportime, Policia kishte futur në përgjim telefonin e autorit të dyshuar dhe, përmes gjurmimit, arriti ta ndiqte deri në zonën e Fierit. Vata u lokalizua dhe u kap në Levan, i fshehur brenda bagazhit të automjetit.
29-vjeçari rezulton gjithashtu me precedentë penalë në Britaninë e Madhe. Ai ishte dënuar në vitin 2024 për vepra penale të lidhura me drogën, ndërsa më herët ishte përfshirë në ndjekje policore. Rrethanat se si dhe kur ai është liruar nga autoritetet britanike mbeten për t’u sqaruar.
Në njoftimin paraprak për vrasjen, Policia deklaroi:
“Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të konfliktit që përfundoi me vrasjen e turistit francez, si dhe rolin e dy shtetasve turq që dyshohet se ndihmuan Vatën të largohej nga Ksamili.