Skip to content
Kryesore

Vrasja e Martin Çeços, Apeli rrëzon vendimin e gjykatës së Korçës

· 2 min lexim

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur të prishë vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë për çështjen e vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço dhe të kthejë dosjen për rigjykim me një trupë të re gjykuese.

Vendimi i Apelit, i marrë më 24 qershor 2025, u firmos nga trupa gjykuese me relatore Marsela Pepi dhe anëtarë Genti Dokollari e Irena Brahimi.

Sipas vendimit, palët kanë të drejtë të paraqesin rekurs brenda 45 ditëve nga dita pasuese e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Më herët, më 10 shkurt 2025, Gjykata e Korçës kishte dënuar me një total prej 83 vitesh burg të pandehurit për këtë ngjarje të rëndë, duke pranuar në tërësi qëndrimin e Prokurorisë.

Për vrasjen e ndodhur më 12 qershor 2022 në fshatin Kolavec të Maliqit, u shpallën fajtorë katër persona: kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj, bariu Bledi Angjo dhe Martina Pajollari, e cila dyshohet se e kishte nxjerrë viktimën në pritë.

Trupi i pajetë i të riut u gjet dy ditë pas zhdukjes, i mbytur me litar dhe i hedhur në një rezervuar.

Pas vendimit të Apelit, babai i viktimës është shprehur në favor të rigjykimit të çështjes, duke kërkuar drejtësi të plotë për djalin e tij.