Skip to content
Kryesore

Vrasja e Martin Canit, transferimi i autorit pengohet nga epikriza

· 2 min lexim

Komisioni i Burgjeve ka njoftuar policinë e Tiranës për mosbindjen e mjekut të një spitali privat, ku po mjekohet autori i dyshuar i vrasjes së Martin Canit, pasi ai ka refuzuar të dorëzojë epikrizën për 14-vjeçarin.

Sipas informacioneve, mjeku me inicialet D.T. ka zvarritur procesin që nga dita e djeshme, dhe po ashtu edhe sot, kur komisioni, i përbërë nga pesë anëtarë dhe i ngritur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, ka shkuar në spital për të marrë informacionin.

Për të miturin është vendosur masa e arrestit me burg, dhe mjeku ka detyrimin të dorëzojë epikrizën përkatëse për të mundësuar shqyrtimin e gjendjes shëndetësore të të miturit dhe vendosjen e masave përkatëse.

Komisioni me pesë persona duhet të provojë çfarë gjendje shëndetësore ka ai, dhe ta transportojë nga ambienti i spitalit privat ose në spitalin e burgjeve në një seksion për të miturit, ose në institutin e të miturve në Kavajë.

Ditën e djeshme, komisioni nuk ka mundur të realizojë këtë proces për shkak të mungesës së kartelës dhe epikrizës, ndërsa sot janë munduar sërish, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

Aktualisht, anëtarët e komisionit janë në komunikim me prokuroren e çështjes dhe me policinë për të vendosur hapat që do të merren nëse spitali dhe mjeku vazhdojnë të mos dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar.