Skip to content
Kryesore

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” Enea Mekolli në Maliq, nën hetim zinxhiri drejtues i Policisë së Korçës

· 2 min lexim

Prokuroria, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po heton zinxhirin drejtues të Policisë së Korçës pas vrasjes së efektivit të forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, dhe plagosjes së kolegut të tij, Edison Adri, gjatë aksionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Bracellari.

Hetimet janë përqendruar te mënyra se si u organizua operacioni për kapjen e Bracellarit. Prokuroria po verifikon nëse ka ekzistuar një plan operacional dhe nëse, përpara dërgimit të efektivëve në terren, janë analizuar me kujdes të gjithë elementët e sigurisë dhe rrezikshmëria e personit që kërkohej të arrestohej.

Në kuadër të hetimeve po kryhen një sërë akt-ekspertimesh. Në analizë janë armët me të cilat ishin pajisur efektivët, jelekët antiplumb që mbanin, si dhe mënyra se si është realizuar ndërhyrja në terren.

Policia ka deklaruar zyrtarisht se në operacion morën pjesë 10 efektivë dhe se për ndërhyrjen kishte një plan operacional.

Enea Mekolli u qëllua për vdekje nga Violand Bracellari në momentin kur forcat e policisë iu afruan stanit të tij në Malin e Bodesë, në Maliq, për ta arrestuar. Gjatë të shtënave mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri.

Bracellari ishte dënuar me 10 vite burgim për trafik narkotikësh dhe ndodhej në kërkim. Ai konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe jetonte në arrati në një zonë të thellë malore, ku kishte ngritur edhe një stallë me fonde të AZHBR-së. Edhe kjo çështje është duke u hetuar nga Prokuroria.

Ndërkohë, ekzistojnë dyshime se Bracellari mund të ketë pasur lidhje me segmente të Policisë, të cilat e ndihmonin të jetonte në arrati. Deri më tani, megjithatë, hetimet për këtë pistë nuk kanë dhënë rezultat.