Skip to content
Kronikë

Vijon dhuna në komisariatet e Shqipërisë, pezullohen nga detyra 3 efektivë policie në Durrës

· 2 min lexim

Ditën e sotme AMP Durrës ka pezulluar nga puna 3 punonjës policie të skuadrës “Shqiponja” për kryerjen e veprës penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”. Ato aknë ushtruar dhunë teksa po shoqëronin një person drejt ambienteve të komisariatit.

Hetimet ndaj tre punonjësve janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës, pas kallëzimit të kryer nga shtetasi A. K

Njoftimi i plotë:

Drejtoria Rajonale e AMP Durrës ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës janë pezulluar plotësisht nga ushtrimi i detyrës punonjësit e policisë:

– Inspektore B. GJ., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.

– Inspektor H. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës

– Inspektor R. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.

Hetimet ndaj punonjësve të mësipërm janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës, pas kallëzimit të kryer nga shtetasi A. K., mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. K. është shoqëruar më datë 06.11.2021 dhe gjatë kohës që ka qëndruar në dhomat e sigurisë, punonjësit e policisë të mësipërm kanë ushtruar dhunë ndaj tij, veprime arbitrare që evidentohen edhe nga këqyrja e pamjeve filmike të ambienteve të sigurisë së DVP Durrës.