Skip to content
Kryesore

Vetëdorëzohen dy të dyshuarit për masakrën e Dobraçit

· 1 min lexim

Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të dyshuar për përfshirjen në atentatin e ndodhur më 30 tetor 2024 në rrugën “Shkodër – Koplik” në zonën e Dobraçit, janë vetëdorëzuar sot në polici.

Ata akuzohen për sulmin ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, të cilët udhëtonin me një automjet Mercedes Benz C-Class me targa franceze, dhe u qëlluan me breshëri automatiku nga një makinë.

Sakica dhe Troshani janë shoqëruar pranë autoriteteve në prani të avokatit mbrojtës, Sokol Tahiraj.

Lici, që ndodhej në vendin e shoferit, duket se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur motorin me pasagjerët Flutura Basha, 56 vjeçe, dhe bashkëshortin e saj, Bashkim Basha.

Gjatë kontrollit të makinës së viktimave, policia gjeti tre pistoleta, një e Bushatit, gëzhojat e së cilës u gjetën brenda automjetit, një tjetër e Licit pranë këmbëve të tij, dhe një e tretë në kroskot, që dyshohet se i përkiste personit që u arratis.

Po ashtu, në makinën e djegur të autorëve, u gjetën dy automatikë, të njëjtët që dyshohet të jenë përdorur në atentat.