Skip to content
Kryesore

Vatër e madhe zjarri në pyllin pranë Patosit

· 1 min lexim

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme pyllin me pisha shumëvjeçare në fshatin Gjinoqarë, në njësinë administrative të Patosit.

Flakët po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë dhe terreni i vështirë malor që pengon ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

Sipas banorëve të zonës dhe burimeve nga shërbimi zjarrfikës, situata është e përkeqësuar dhe jashtë kontrollit.

Shefi i zjarrfikësve të bashkisë Patos, Alket Halimi, konfirmoi se në vendngjarje ndodhen katër automjete të zjarrfikëses nga Patosi dhe Mallakastra, por ndërhyrja direkte në vatrën e zjarrit është thuajse e pamundur.

“Forcat zjarrfikëse po përpiqen të frenojnë përparimin e flakëve me mjete rrethanore, të ndihmuar nga banorët dhe punonjës të strukturave vendore”, u shpreh Halimi.

Zjarri ka përfshirë të njëjtën zonë që u dogj edhe rreth tre vite më parë. Aktualisht nuk raportohen banesa të rrezikuara, pasi pylli ndodhet mes fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie.

Megjithatë, avancimi i flakëve vijon dhe rreziku për përhapje mbetet i lartë. Autoritetet janë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse situata përkeqësohet më tej.