Skip to content
Politikë

Varra e zjarrit në Llogara, Peleshi i ashpër: Piromanët do përballen me ligjin

· 1 min lexim

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka njoftuar se vatra e zjarrit e cila u aktivizua ditën e djeshme në Qafën e Llogarasë është arritur të shuhet. Kjo është bërë e mundur falë përpjekjeve të përbashkëta të forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Sipas Peleshit, mbi 40 efektivë të tjerë nga Forcat e Armatosura iu bashkuan aksionit në orët e para të mëngjesit dhe janë duke bërë krehjen e zonës për izolimin përfundimtar të vatrës. Kjo ndërhyrje e shpejtë dhe efektive ka qenë vendimtare për të parandaluar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur pasurinë kombëtare.

Ministri gjithashtu bëri një thirrje të fortë ndaj banorëve që, me veprimet e tyre të pamenduara, vënë në rrezik mjedisin dhe pasurinë kombëtare.

“Do të përballen me ligjin, i cili është i qartë dhe i rreptë për piromanët,” theksoi Peleshi, duke paralajmëruar masa të ashpra ligjore për ata që shkaktojnë qëllimisht zjarre.