Skip to content
Kryesore

U hapën portat e HEC-it teksa laheshin në Drin, rrjedha merr xhaxhain me 4 nipër e mbesa! Shpëtojnë katër, mbytet 7-vjeçarja

· 2 min lexim

Një ngjarje tragjike është shënuar në Gjoricë të Bulqizës, ku pesë pjesëtarë të së njëjtës familje janë marrë nga rrjedha e lumit Drin teksa po laheshin. Xhaxhai, së bashku me dy nipërit dhe dy mbesat e tij, u gjendën papritur përballë rritjes së nivelit dhe fuqisë së ujit, ndërsa për një vajzë vetëm 7 vjeçe ngjarja përfundoi tragjikisht.

Paraprakisht dyshohet se niveli i lumit Drin është rritur pas hapjes së portave të hidrocentralit në Dibër të Madhe. Rritja e prurjeve dyshohet se ka fuqizuar rrjedhën e lumit pikërisht në kohën kur pesë familjarët ndodheshin duke u larë në ujë.

Pas kallëzimit të familjarëve në polici, uniformat blu mbërritën në vendngjarje dhe nisën kërkimet. Operacioni zgjati për rreth katër orë dhe katër prej pesë personave që kishte marrë rrjedha arritën të shpëtoheshin.

Por 7-vjeçarja nuk u gjet së bashku me familjarët e tjerë dhe kërkimet për të vijuan për disa orë. Trupi i pajetë i së miturës u gjet sot, duke konfirmuar përfundimin tragjik të ngjarjes.

Rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkaku i rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit mbeten për t’u sqaruar, ndërsa paraprakisht dyshohet se gjithçka ndodhi pas hapjes së portave të hidrocentralit në Dibër të Madhe.