Skip to content
Kronikë

U duk si aksident, por në fakt ishte tentativë vrasjeje, detaje nga ngjarja në Lezhë

· 2 min lexim

Një rast i rëndë është zbuluar nga policia e Lezhës, ditën e sotme, pasi fillimisht u raportua si një aksident rrugor.
Antonio Uldedaj, 25 vjeç tentoi dje të vriste ish-kunatin e tij Marsido Pati, duke i goditur disa herë, me automjet, motorin në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, në afërsi të “Kthesës së Knallës”.

Sipas burimeve zyrtare, Antonio tentoi të vriste ish-kunatin 32-vjeçar për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës.

Paraditen e djeshme, Policia është njoftuar se kishte ndodhur një aksident rrugor në aksin “Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Kthesa e Knallës”, ku një automjet kishte përplasur një motomjet dhe drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit. Specialistët e Policisë Rrugore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer hetime të thelluara për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje që u raportua fillimisht si aksident.

Nga hetimet e deritanishme u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. U., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ka përplasur qëllimisht, disa herë, me automjet, motomjetin me drejtues ish-bashkëshortin e motrës së tij, shtetasin M. P., 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës”, njofton policia.