U arrestua në Rinas, Gjykata lë në burg aktivisten turke! Nga protestat kundër Erdoganit te azili politik në Francë, kush është mësuesja e dënuar për terrorizëm në Turqi

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 32-vjeçaren turke Julide Yazici, e arrestuar dy ditë më parë në Aeroportin e Rinasit, pasi ndaj saj rezultonte një urdhër kërkimi ndërkombëtar i lëshuar nga Interpol Ankara. Prokurori i çështjes, Françes Gani, kërkoi masën “arrest në burg”, e cila u pranua nga gjykata deri në mbërritjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet turke, të cilat kanë 40 ditë afat për të dorëzuar dokumentacionin.
Yazici, me profesion mësuese, u arrestua më 5 gusht teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Gjatë verifikimeve në pikën kufitare rezultoi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është dënuar nga Gjykata e Stambollit me 4 vite e 2 muaj burg për veprat penale “dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Sipas autoriteteve turke, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg.
Pas vendimit për masën e sigurisë, Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë në një fazë të mëvonshme edhe kërkesën e Turqisë për ekstradimin ose jo të saj.
Sipas informacioneve të policisë, 32-vjeçarja ka përfituar azil politik në Francë, duke pretenduar se në Turqi i rrezikohet jeta.
Rreth shtatë vite më parë, kur ishte studente në Universitetin Boğaziçi të Stambollit, Yazici mori pjesë në protestat kundër qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan. Mediat turke e identifikojnë si aktiviste të lëvizjes studentore, të angazhuar në protesta dhe kauza për të drejtat civile.
Ajo u arrestua fillimisht në vitin 2016, ndërsa autoritetet turke e akuzuan për lidhje me një organizatë terroriste. Nga ana tjetër, Yazici dhe mbështetësit e saj i kanë mohuar këto akuza, duke pretenduar se ndjekja penale ndaj saj lidhet me aktivitetin politik dhe pjesëmarrjen në protestat studentore.