Tronditet Kosova: Vritet gruaja shtatzënë, në gjendje të rëndë bashkëshorti

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevën mbrëmjen e së dielës, 23 gusht, ku një grua shtatzënë në javën e 34-të ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri, ndërsa bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:20 në fshatin Kërvasari. Policia e Kosovës u njoftua për një person të plagosur me armë zjarri dhe efektivët mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Brenda një dhome gjumi, policia gjeti një çift bashkëshortor të plagosur rëndë. Të dy u dërguan fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas u transferuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se gruaja ishte shtatzënë në javën e 34-të. Pavarësisht masave të ndërmarra nga ekipi kujdestar, ajo nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në Emergjencë.
Rreth orës 01:10, QKUK-ja njoftoi Policinë se gruaja kishte humbur jetën si pasojë e plagëve.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj vijon të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe ndodhet i intubuar.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta, dinamikën e të shtënave dhe motivin. Deri në këtë fazë nuk janë bërë publike të dhëna të tjera që mund të sqarojnë se çfarë ka ndodhur brenda banesës dhe si janë plagosur dy bashkëshortët.