Tre dekada në arrati për tre vrasje, deportohet në Shqipëri Sokol Hoxha: Policia publikon njoftimin zyrtar

Sokol Hoxha, 51 vjeç, i dënuar për tre vrasje në Shqipëri dhe Belgjikë, është deportuar në Shqipëri pas afro tre dekadash në arrati. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila bën me dije se procedura u finalizua në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, falë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me partnerët ndërkombëtarë. Hoxha ishte arrestuar më 5 maj 2026 në Ohio, SHBA.
Sipas njoftimit zyrtar, Hoxha është dënuar në vitin 2000 nga Gjykata e Fierit me 25 vite burgim për vrasjen e dy vëllezërve, H. B. dhe I. B., në Patos, më 30 mars 1997. Sipas vendimit, ai e kreu krimin në bashkëpunim me shtetasin D. S., për motive të dobëta.
Po ashtu, në vitin 2010, Gjykata e Brukselit në Belgjikë e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen me armë zjarri të një shtetaseje shqiptare në Bruksel, më 29 gusht 1997. Sipas Policisë, viktima ishte shfrytëzuar më parë prej tij për prostitucion.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentin e Policisë Kriminale, Interpol Tiranën, Interpol Uashingtonin, Interpol Mançesterin, Interpol Brukselin, Marshallët Amerikanë dhe ICE-ERO në SHBA.
Policia e Shtetit thekson se deportimi i Sokol Hoxhës është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe nënvizon se mbetet e angazhuar për të goditur personat në kërkim që përpiqen t’i fshihen drejtësisë në Shqipëri dhe jashtë saj.