Skip to content
Kryesore

Tragjedia e zjarrit në hotelin “Brooklyn” në Vlorë, ndërron jetë 25-vjeçarja Me djegie në 85% të trupit

· 2 min lexim

Ka ndërruar jetë Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja e cila mbeti e plagosur rëndë nga zjarri që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës më 16 gusht.

E reja nga Durrësi kishte pësuar djegie të rënda në rreth 85% të trupit. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ajo u transferua drejt Turqisë për të marrë mjekim të specializuar.

Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, 25-vjeçarja nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 gusht, kur një zjarr i fuqishëm përfshiu hotelin “Brooklyn” në zonën e Lungomares në Vlorë. Flakët u raportuan fillimisht në katin e katërt të godinës, ndërsa situata u përkeqësua me shpejtësi. Disa prej personave që ndodheshin në hotel mbetën të bllokuar brenda, ndërsa të tjerë arritën të dilnin.

Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse dhe ekipet mjekësore, të cilat punuan për nxjerrjen e personave të bllokuar dhe shuarjen e flakëve.

Ana Dyrmishi ishte ndër personat që pësoi dëmtimet më të rënda nga zjarri. Pas ditësh në gjendje kritike dhe trajtimit të specializuar në Turqi, 25-vjeçarja humbi betejën për jetën.