Tragjedi në Shkodër! Nëna 24-vjeçare dhe dy fëmijët e mitur humbin jetën nga zjarri në banesë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Domen, në njësinë administrative Postribë të Shkodrës, ku një nënë 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse për të ndërhyrë.
Policia bëri të ditur se, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se si pasojë e flakëve kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.