Tragjedi në Lushnjë/ 45-vjeçari vret nënën me sqepar, plagos rëndë babanë dhe arratiset

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së hënës Lushnjën, ku një 45-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën e tij dhe ka plagosur rëndë babanë brenda banesës së familjes. Pas krimit, ai është larguar, ndërsa Policia po vijon kërkimet për kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë. Sipas Policisë, Florion Dalladaku, 45 vjeç, për motive që mbeten ende të paqarta, ka goditur me sqepar nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, si dhe babanë, Hasan Dalladaku, 77 vjeç.
“Shtetasi Florion Dalladaku, 45 vjeç, dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babanë e tij, shtetasin Hasan Dalladaku, 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi Policia.
80-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj është dërguar në spital në gjendje të rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, 45-vjeçari është larguar nga banesa dhe vijon të jetë në kërkim. Policia bën të ditur se ai dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
“Shtetasi Florion Dalladaku, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe zbardhjen e motivit të ngjarjes.