Skip to content
Të Gjitha

Thirrjet për ndihmë shtetit, ministria e Infrastrukturës hesht për të disatën herë përballë kërkesave të shoqatave të transportit

· 2 min lexim

Për shkak të masave të marra ndaj COVID-19, transporti urban dhe interurban është ndërprerë prej dy muajsh.

Si pasojë e pezullimit të aktivitetit, shoqatat e transportit janë goditur rëndë ekonomikisht.

Ata i kanë parashtruar nëpërmjet një letre zyrtare, 6 kërkesa ministrisë së Infrastrukturës.

Edhe pse kanë dërguar mbi 3 kërkesa në ministri, sërish ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Nuk është hera e parë që ministria e drejtuar nga Belinda Balluku vendos të mos përgjigjet, pasi Gazetareforma.com, i është drejtuar disa herë me kërkesa për informacion dhe ka marrë mbrapsh vetëm heshtje.

Ndërkohë 5 kërkesat e shoqatës së transportit janë:

Shtyrja e taksave vjetore të autobusëve me së paku 6 muaj.

Mbështetje për ndikimin në shtyrjen e afateve të siguracioneve me së paku 6 muaj.

Shtyrjen e afateve të licensave për aq kohë sa do të zgjasë situata emergjente.

Hartimin e një pakete financiare stimuluese për rifillimin e aktivitetit ekonomik.

Rifillimin e aktivitetit duke zbatuar protokollin e sigurisë dhe duke marrë një vetëdeklarim digjital të udhëtarëve, nëse kanë qenë të prekur nga COVID-19.

Blerjen e naftës pa akcizë deri në dhjetor 2020.

Shoqata e Transporteve bën me dije se pjesë e saj janë 130 linja ndërqytetase dhe rrethqytetase, ku janë të punësuar mbi 5 mijë persona.

Që në fillim të ndërprerjes së aktivitetit shoqatat e transportit i kanë kërkuar ndihmë shtetit për shtyrjen e pagesës së taksave, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. (Lexo këtu)