Testimet për COVID-19 në Elbasan pas zbulimit të restorantit të hapur, ja si dolën përgjigjet
Testimet në Elbasan për të dyshuarit me koronavirus kanë rezultuar të gjithë negativ.
Pas konstatimit të rasteve të reja të enjten dhe të premten janë kryer 34 testime, ku 3 ishin ritestime.
Në Elbasan u ngrit alarmi për përhapjen e COVID-19, pas zbulimit të rastit skandaloz të restorantit pranë gjykatës, i cili kishte qëndruar hapur gjatë periudhës së epidemisë.
Mësohet se 90% e të prekurve në Elbasan kanë qenë frekuentues të restorantit në fjalë.
Pronari i tij, një 46-vjeçar,u infektua dhe për momentin ndodhet në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Gjithashtu ai ia transmetoi virusin gruas dhe disa klientëve që kishin frekuentuar restorantin.
Kurse ditën e djeshme po në Elbasan u zbulua një lokal, i cili kishte qëndruar hapur fshehurazi, gjatë gjithë periudhës së epidemisë.
Pronari i lokalit së bashku me të gjithë klientët që ndodheshin brenda, u shoqëruan në polici.
Qyteti i Elbasanit ndërkohë numëron 15 raste me COVID-19.
Ndërsa në rang kombëtar, numri i të prekurve ka shkuar në 416, ku në mesin e tyre numërohen 23 viktima dhe 182 të shëruar.
Gjatë dy ditëve të fundit kurba e infeksionit ka shkuar drejt uljes, por kjo nuk do të thotë që tashmë duhet të ulim vigjilencën.