Skip to content
Rajoni

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë! Gjermania thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, për të shmangur katastrofën

· 2 min lexim

Tensionet midis Turqisë dhe Greqisë duket se nuk kanë të ndalur dhe për këtë është dashur edhe ndërhyrja e shteteve europiane për të qetësuar marrëdhëniet e tyre. 

Mësohet se Gjermania i ka bërë thirrje urgjente Greqisë dhe Turqisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi pretendimet për të drejtën për të shfrytëzuar burimet natyrore në ujërat e Mesdheut lindor, duke paralajmëruar rrezikun e një konfrontimi ushtarak.

 “Mesazhi i parë është se Gjermania dhe i gjithë Bashkimi Evropian është në solidaritet të fortë me Greqinë. Mesazhi i dytë po ashtu i rëndësishëm është se na duhen urgjentisht  shenja të uljes së tensioneve dhe gatishmëri për dialog. Situata aktuale në  Mesdheun lindor është bërë shumë e rrezikshme dhe incidenti më i vogël mund të çojë në një katastrofë e cila nuk mund të jetë në interes të askujt, veçanërisht një konfrontim ushtarak midis partnerëve të NATO-s dhe fqinjëve. Një zgjidhje detyruese dhe paqësore e mosmarrëveshjes përfundimisht do të arrihet vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta midis Greqisë dhe Turqisë”, tha Heiko Mass, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë

Ndërkohë ministri gjerman pas ndalesës në Athinë do të udhëtojë drejt Ankarasë, duke ditur se  Gjermania mban presidencën e radhës të BE-së.

Ndërsa gjatë javës pritet edhe një takim mes ministrave të jashtëm të BE-së, të cilët do të diskutojnë për tensionet në Mesdheun Lindor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian deri më tani e kanë mbështetur Greqinë, por vendet e BE-së duket se kanë qëndrime të ndryshme për një kërkesë të Athinës për të vendosur sanksione ndaj Turqisë.

Një ditë më parë, Presidenti i Turqisë Erdogan akuzoi Greqinë se po “rrezikon sigurinë lundruese të të gjitha anijeve në rajon” dhe paralajmëroi se qëndrimi i saj ndaj ligjit ndërkombëtar e kishte shtyrë Greqinë “në një kaos nga i cili nuk mund të largohet lehtë”.