Skip to content
Kryesore

Sulmi kibernetik ndaj SPAK/ GJKKO lë në burg ish-zyrtarin e burgut

· 2 min lexim

Ish-drejtuesi i burgut të Vlorës, Zambak Gjoni, i akuzuar për ndërhyrje në sistemet kompjuterike të SPAK-ut, u la në “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjoni kërkoi lirimin me argumentin se nuk kishte kryer asnjë veprim në sistemet e SPAK, por gjykata refuzoi kërkesën e tij.

Në pranga janë vënë edhe ish-drejtuesi i Inspektoratit të Menaxhimit të Thesarit, Artjon Rrokaj, së bashku me Gjonin, pasi dyshohen për hakimin e emaileve të tre prokurorëve të SPAK më 12 mars.

Sipas njoftimeve, hakerat nuk arritën të depërtojnë në sistemin e brendshëm IT, i cili mbetet i paprekur, por morën informacion nga llogaritë e disa prokurorëve. SPAK-u ka bërë me dije se nuk ka pasur rrjedhje të dosjeve hetimore.

Gjithashtu, hakerat tentuan të ndërhynin në emailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por nuk arritën për shkak të masave të sigurisë. Pas marrjes së aksesit në emaile, ata shpërndanë dokumentet tek disa persona të tjerë, përfshirë dy gazetarë, ish-kreun e burgjeve Agim Ismaili dhe Dritan Palnikaj, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.

Prokurori i çështjes, Bledar Maksuti, ka urdhëruar që personat që kanë pasur kontakt me dokumentet të mos i publikojnë, ndërkohë që po merren në pyetje edhe persona të tjerë lidhur me këtë rast.