SPAK thellon hetimet ndaj Ballukut, e kap edhe te Loti 7 i Unazës/ Favorizoi “Alko Impex” në tenderin 2.3 miliardë lekë, në këmbim kompania i investoi deri në 410 mijë euro te vila e fshehur në Green Coast

Hetimet ndaj Belinda Ballukut marrin një tjetër kthesë të rëndë. SPAK njofton se ka zbuluar fakte të reja penale ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e lidhur tashmë favorizimin e pretenduar në një tender publik miliardash me një vilë të fshehur në kompleksin “Green Coast” në Palasë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga veprimet hetimore, metodat speciale të hetimit, provat dixhitale dhe materiale të tjera janë siguruar të dhëna të reja në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025.
Në qendër të zhvillimeve të fundit është tenderi për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2,353,597,373.94 lekë pa TVSH.
SPAK pretendon se Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me ish-kreun e ARRSH-së Evis Berberi, anëtarë të njësisë së prokurimit dhe të komisionit të vlerësimit të ofertave, krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k., që u shpall fitues.
Por hetimi nuk ndalet te tenderi. SPAK thotë se ka zbuluar se Balluku kishte në pronësi faktike vilën “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast” në Palasë, Himarë, të cilën e konsideron një pasuri të fshehur.
Sipas SPAK, për fshehjen e pasurisë së padeklaruar është përdorur Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje të datës 26 tetor 2020, në shumën 250 mijë euro, që përfshinte investimin deri në fazën e karabinasë.
Hetuesit pretendojnë se më pas investimi për vazhdimin e ndërtimit të vilës është marrë përsipër nga Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”, pikërisht kompania pjesë e bashkimit të operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 7.
Sipas preventivit të punimeve të administruar nga SPAK, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 deri në 410,526 euro.
Prokuroria e Posaçme ngre një akuzë edhe më të drejtpërdrejtë: pretendon se Balluku, për shkak të funksionit të saj si ministre, në këmbim të favorizimit të “Alko Impex General Construction” në tender, ka kërkuar dhe marrë nga Arbër Abazi përfitimin e parregullt në formën e investimeve dhe punimeve në vilën e Green Coast.
SPAK thotë gjithashtu se për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit është përdorur sërish Igli Tare. Sipas hetimit, janë kryer veprime fiktive për krijimin e dokumentacionit të pronësisë dhe regjistrimin e vilës në emër të Tares, përmes një kontrate shitjeje të datës 12 shtator 2025.
Balluku, sipas SPAK, kishte detyrimin ligjor ta deklaronte këtë pasuri, por nuk e bëri, ndërsa dokumentacioni në emër të Igli Tares dyshohet se është përdorur për fshehjen e saj.
Për faktet e reja, Balluku dyshohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, për mosdeklarim ose fshehje të pasurisë, si dhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Arbër Abazi dyshohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa Igli Tare për pastrim të produkteve të veprës penale. Edhe personi juridik “Alko Impex General Construction” dyshohet për korrupsion aktiv.
Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme, me vendimin nr. 591 të datës 9 shtator 2026, ka vendosur sekuestron preventive mbi vilën në Green Coast.
Prona ka një sipërfaqe totale prej 478 metrash katrorë truall dhe 142.6 metra katrorë ndërtesë në katin përdhe, krahas sipërfaqeve të tjera të objektit dhe parkimeve të përcaktuara në dokumentacion.
Zhvillimet e reja e thellojnë ndjeshëm dosjen ndaj Ballukut. Hetimi, i cili përfshin tashmë tetë procedura prokurimi, nga Tuneli i Llogarasë te lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës, shtrihet tani edhe mbi dyshimet për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
SPAK njofton se hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe fakteve penale të kësaj dosjeje.