Skip to content
Kosovë

Sot seanca e 36-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

· 2 min lexim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish këtë të diel, më 23 qershor, në orën 11:00, për të tentuar për herë të 36-të konstituimin e Legjislaturës së Nëntë, një proces i zvarritur që ka hyrë në histori si ndër më të pazakontët në jetën parlamentare të vendit.

Zgjatja e këtij procesi ka nxjerrë në pah përplasjet e brendshme mes partive dhe akuzat e ndërsjella për bllokimin e funksionimit institucional.

Seanca e fundit u mbajt të shtunën, nën drejtimin e deputetit Avni Dehari, i cili përsëriti thirrjen për subjektet politike që ende nuk kanë paraqitur përfaqësuesit e tyre në Komisionin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, edhe këtë herë nuk pati emra të rinj në tryezë.

Përballë mungesës së propozimeve të reja, përbërja ekzistuese e komisionit, e njëjta që ishte votuar në seancat e mëparshme, iu nënshtrua votimit.

Nga 52 deputetë të pranishëm, 51 dhanë votën pro, një kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Kjo votë i hapi rrugën zhvillimit të një seance të re brenda 48 orëve, me shpresën se kësaj radhe do të ketë një hap konkret drejt konstituimit të Kuvendit.