Skip to content
Kryesore

“S’kemi interesa personale”/ Eurodeputetja i përgjigjet Ramës: Punimet në Vjosë-Nartë vazhdojnë, kemi njoftuar sërish Komisionin Europian

· 3 min lexim

Eurodeputetja italiane Cristina Guarda, anëtare e Delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit akuzoi disa ditë më parë eurodeputetët që kanë mbështetur protestat qytetare se veprojnë për interesa dhe agjenda personale.

Përmes një reagimi publik, Guarda e hodhi poshtë këtë akuzë, duke deklaruar se qëllimi i saj dhe i kolegëve të saj është që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian të zhvillohet në funksion të qytetarëve dhe jo të interesave private.

“Edi Rama, ja axhenda jonë, publike. Ne punojmë për një proces të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që vendos në plan të parë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, dhe jo tekat e atyre që investojnë, blejnë e spekulojnë.”

Eurodeputetja shprehet se zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri nuk janë në përputhje me standardet europiane, pasi sipas saj pengojnë pjesëmarrjen demokratike, aktivizimin qytetar dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Ajo që po shohim të ndodhë nuk shkon në drejtimin e së drejtës europiane, por përkundrazi shtyp përpjekjet për pjesëmarrje demokratike, për aktivizim nga poshtë për mbrojtjen e mjedisit dhe të mirëqenies së të gjithë njerëzve që jetojnë sot në Shqipëri, si edhe të atyre që do të jetojnë në vitet që do të vijnë. Për këtë arsye i kemi shkruar një letër Komisionit Europian, për të nxjerrë në pah të gjitha pikat problematike dhe për të ndërtuar së bashku një proces anëtarësimi që të jetë në shërbim të njerëzve, hap pas hapi”, shprehet Guarda.

Në reagimin e saj, ajo ndalet edhe te ndryshimet ligjore për investimet në zonat e mbrojtura, duke argumentuar se ligji shqiptar nr. 21/2024 bie ndesh me legjislacionin europian dhe duhet të shfuqizohet.

“Ligji aktual shqiptar, 21/2024 është në kundërshtim me legjislacionin europian dhe për ta bërë të pajtueshme duhet të anulohet, vetëm kështu mund të garantohet bashkërendimi me legjislacionin europian dhe projektet si resortet luksoze në zonat e mbrojtura nuk mund të jenë as të menduara dhe jo më të propozuara. Ndërkohë që vazhdojnë të na vijnë njoftime për punime në zonën e Vjosë-Nartës. Për këtë arsye ne të Gjelbrit Europian i kemi shkruar sërish Komisionit Europian.”

Sipas eurodeputetes, problematikat nuk kufizohen vetëm te mjedisi. Ajo thekson se Shqipëria vijon të ketë sfida serioze edhe në fushën e të drejtës së pronës, duke kujtuar se shumë qytetarë ende nuk disponojnë tituj të sigurt pronësie, ndërsa procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist nuk është përfunduar.

“Por çështja nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por ka të bëjë dhe me të drejtën e pronësisë. Një nga të drejtat themelore të garantuara nga Bashkimi Europian. Shumë shqiptarë nuk kanë ende titujt e pronësisë së sigurta dhe procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist nuk është realizuar ende”, përfundon Guarda në mesazhin e saj.