Skip to content
Kryesore

Skandali në Green Coast/ Pushuesit i vidhen 8000 euro, kompania e Agron Malajt shmang përgjegjësinë!

· 2 min lexim

Një pushues ka denoncuar publikisht një incident të rëndë që ka ndodhur në resortin luksoz Green Coast, ku ai pretendon se i është grabitur vila e marrë me qira, ndërkohë që shërbimi i sigurisë dhe institucionet nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi.

Sipas denoncimit, incidenti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00. Pushuesi tregon se kishte dalë për të vizituar një mik në një tjetër vilë brenda resortit, ndërsa familjarët e tij po flinin në vilën ku ishin akomoduar. Kur u rikthye pas orës 01:15 të mëngjesit, konstatoi se dera me shinë ishte e hapur, perdet e shqyera dhe ambienti i brendshëm i çrregulluar.

Fillimisht, ai mendoi se rrëmuja mund të ishte bërë nga fëmijët, por mëngjesin pasues, kushërira e tij vuri re mungesën e një byzylyku “tennis” me vlerë 5 mijë euro, si dhe humbjen e 8 mijë eurove në para të gatshme.

Menjëherë u kontaktua shërbimi i sigurisë Global Security, që operon brenda resortit dhe është në pronësi të deputetit të PS-së, Agron Malaj, si dhe u njoftua policia.

“Erdhi policia, bëri procedurat normale, por sigurimi më tha: ‘Ne nuk mbajmë përgjegjësi për vilat, vetëm për hapësirat e përbashkëta të resortit’,” rrëfen pushuesi.

Për ta zbardhur ngjarjen, ai kërkoi të shihte pamjet e kamerave të sigurisë në hapësirat publike, por mori një tjetër përgjigje zhgënjyese:

“Më thanë se nuk ka kamera sepse banorët nuk i duan për shkak të privatësisë.”

I revoltuar, ai shton: “Pra, në Green Coast, në resortin e bossave të mëdhenj, nuk ka kamera sigurie dhe nuk mban njeri përgjegjësi.”

Edhe pas kontaktit me kompaninë e sigurisë Global Security, pushuesi thotë se mori një qëndrim të prerë dhe të papërgjegjshëm:

“Nuk mbajmë përgjegjësi. As nuk na intereson. Kamera në rrugët e resortit nuk ka.”