Skip to content
Kryesore

Situatë e rëndë nga zjarret, flakët përhapen pranë Tiranës; Lura digjet prej 48 orësh

· 2 min lexim

Situata nga zjarret mbetet e rëndë në disa zona të vendit, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi në kodra dhe pyje. Në rrethinat e Tiranës është aktivizuar një vatër e përmasave të mëdha, ndërsa në Lurë zjarri vijon prej 48 orësh. Deri në orën 17:00 raportohen 10 vatra aktive në gjashtë qarqe.

Gjatë orëve të pasdites, një zjarr i madh përfshiu zonën e Priskës së Madhe, në fshatin Daias të Tiranës. Të favorizuara nga era, flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa tymi mbuloi zonën.

Në terren kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Deri tani nuk raportohen probleme për banesat, pasi zona e përfshirë nga flakët është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre.

Situata është përkeqësuar gjatë pasdites edhe në fshatin Abazë të Krujës, ku bashkia ka urdhëruar evakuimin e banorëve. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, të cilat rrezikojnë edhe banesat. Dhjetëra forca zjarrfikëse dhe helikopterë po punojnë në zonë për shuarjen e zjarrit.

Ndërkohë, zjarri vijon prej 48 orësh edhe në Lurë të Dibrës, duke djegur sipërfaqe të tëra. Mbi 20 forca të emergjencave, së bashku me banorët, po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për të parandaluar afrimin e tyre drejt banesave.

Deri në orën 17:00 janë regjistruar 10 vatra zjarri aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë, ndërsa ndërhyrjet për vënien e tyre nën kontroll vijojnë.