Skip to content
Aktualitet

Situata e zjarreve/ Agjencia e Mbrojtjes Civile shkresë bashkive dhe Policisë: Situata emergjente, merrni masa!

· 2 min lexim

Duke marrë parasysh situatën e rëndë të shkaktuar nga zjarret, ka reaguar me një letër Agjencia e Mbrojtjes Civile. Në shkresën e saj dërguar bashkive, AKMC thekson se situata e ditëve të fundit e vatrave të zjarrit në vendin tonë është alarmante dhe kërkon që strukturat përgjegjëse të marrin masat e duhura.

“Sipas të dhënave paraprake, kjo periudhë problematike për zjarrvënien e qëllimshme për marrjen e masave për përballimin e zjarreve. Zjarret kanë krijuar situata emergjente, duhet bashkërendim dhe koordinim strukturash. Merrni masa të plota për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve nga zjarret”, thuhet në shkresën e AKMC drejtuar bashkive.

Gjithashtu AKMC i kërkon prefektëve të përdorin të gjitha kapacitetet operacionale në nivel qarku, për të vënë nën kontroll këtë situatë.

“Pushteti vendor të japë informacion në kohë reale për shfaqjen e vatrave të zjarrit. Bashkitë të zhvillojnë trajnime detyruese për punonjësit për situatat e zjarreve. Bashkitë të mbajnë në gatishmëri dhe të përdorin të gjitha kapacitetet zjarrfikëse. Në bazë të ligjit, bashkitë, vullnetarët dhe vetë qytetarët, janë kapacitetet për shuarjen e vatrave të zjarrit”, thuhet ndër të tjera.

Ndërkohë ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të vendosë para përgjegjësisë të gjithë autorët e zjarrvënies.

“Të merren masa për zbulimin e autorëve të zjarreve, qofshin ato me dashje apo dhe nga pakujdesia, zjarrvënësit të ndëshkohen sipas përcaktimeve të Kodit Penal. Zbulimi i autorëve ul numrin dhe madhësinë e zjarreve. Ndëshkimi i autorëve ndërgjegjëson qytetarët se zjarrëvenia është krim. Koordinim me pushtetin lokal dhe kryepleqtë për identifikimin e autorëve. Të ndiqen me prioritet zjarrvëniet duke informuar publikun për autorët e tyre”.