Skip to content
Kryesore

Shtyhet në GJKKO seanca për Gërdecin, arsyeja

· 1 min lexim

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për çështjen e “Gërdecit” është shtyrë për në 18 qershor, për shkak të mungesës së ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ndodhet në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Procesi ndaj Mediut, i cili ka nisur në prill 2023, vazhdon ende në fazën e shqyrtimit të kundërshtimeve që ai ka ngritur kundër akt-ekspertizës së paraqitur nga grupi i ekspertëve të çështjes.

Rihapja e dosjes për ish-ministrin erdhi pas kërkesës së familjes së një prej 26 viktimave të shpërthimit tragjik në Gërdec, më 15 mars 2008.

Në atë ngjarje të rëndë, që ndodhi në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, përveç viktimave pati edhe qindra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.

Sipas SPAK, Fatmir Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit duke favorizuar dy kompani private, “SAC” dhe “Albademil”, të përfshira në procesin e demontimit të municioneve.

Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim me subjektin ushtarak-kuadër komandues”.