Skip to content
Kryesore

Shqipëria në shitje – Fijet e konsullit të nderit të Izraelit Sani Sanilevich, emrat e bashkëpunëtorëve dhe planet për biznes!

· 9 min lexim

Një nga emrat e rinj të biznesit në Shqipëri është Sani Sanilevich, një shtetas izraelito-shqiptar, i cili brenda një kohe të shkurtër po tenton të ngrejë një perandori në vendin tonë, me lidhje të forta që shkojnë deri në Këshillin e Ministrave, takime private me krerët e shtetit dhe me influencë në rangjet e tjera, duke qenë se është një individ që “vjen me porosi”.

Vox News ka analizuar informacione nga burime të hapura, nga dokumente dhe gjithashtu nga mediat izraelite, të cilat flasin se Sanilevich ka bërë gati letrat për të ndërtuar resorte në Shqipëri, për t’u futur në projekte të rëndësishme, të marrë tendera, të bëjë ortakëri me vetë shtetin. Madje, synimi i tij kryesor është që të futet në shëndetësi, në një sistem totalisht që i përshtatet privatit, pasi nga viti në vit, megjithë koncesionet e famshme, shërbimi në spitalet publike lë shumë për të dëshiruar.

Aktualisht në këtë sistem po futet fuqishëm Sanilevich, i cili është edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, i cili njihet si “miku” i kryeministrit Edi Rama, madje ka organizuar edhe takimin e famshëm të Ramës në Izrael, në fermën e tij, ku është telefonuar edhe nga kryeministri Izraelit, Beniamin Netanjahu. Por, Sanilevich ka organizuar edhe takime të shumta në fermën e tij me zyrtarë të Ambasadës Shqiptare në Izrael, në një kohë kur planet e tij për biznes në vendin tonë kanë filluar të dalin në dritë.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Faksimile: Akti i themelimit të koampanisë SeaSun Albania Capital në Shqipëri, në vitin 2025

Në të njëjtën kohë kur Sanilevich bënte takime me Ramën dhe zyrtarë të tjerë të Ambasadës Shqiptare në Izrael, bashkëpunëtorët e tij themeluan në vendin tonë kompaninë SeaSun Albania Capital. Selia e kompanisë ndodhet në zonën e Kasharit në Tiranë, teksa objekti i saj është ndërtime civile dhe ekonomike, industriale e turistike.

Gjithashtu kompania merret me tregëtimin e materialeve të ndërtimit, rëre e inerte, mermet e prodhim material ndërtimi. Në objektin e saj figuron edhe import e eksport i materialeve të ndryshme, ndërtim dhe menaxhim i objekteve turistike, ndërtime rrugore ndëtime hidroteknike, rikonstruksione të godinave civile, ndërtimin e rrjeteve inxhinierik dhe çdo aktivitet tjetër të lejuar nga legjislacioni shqiptar. Me pak fjalë, Sanilevich po futet fuqishëm në tregun e ndërtimeve, sidomos në zonat bregdetare, pasi Vox Neës ka informacione se e njëjta kompani, me ndihmë nga bashkëpunëtorët, apo me lidhjet deri në kupolën qeverisëse, do të marrë leje nga institucionet shtetërore për resorte.

Një skemë e pastër për t’u futur në lojë, për benefite të qarta apo për lehtësira fiskale, të cilat gjithmonë bëhen nëse ke “miqësi”, pasi mund të marrësh lehtësisht tokë shtetërore për të bërë ndërtime private. Por, duke parë edhe objektin e kompanisë, lindin të tjera dyshime se Sanilevich po përgatitet që të futet edhe në tendera publikë, normalisht s’do të sjellë buldozera apo llaç e tulla nga Izraeli, por do të bashkëpunojë me firma vendase dhe në këtë mënyrë merr përqindjet e vete, njëjtë siç po bën miku tjetër i kryeministrit, Ron Yaffet, që është futur në biznesin e makinave dhe armëve.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Faksimile: Kapitali i kompanisë është vetëm 100 lekë, ndërkohë Saniel Sanilevich shkruan në dokumente se është “qytetar shqiptar”

Por, a ka kapital të rëndësishëm Saniel Sanilevich në Shqipëri apo do të marrë para qyl? Në letrat e firmës së parë që ka regjistruar në QKB, konsulli shkruan se “kapitali themeltar i soqërusë është në shumën prej 100 lekësh”. Ndërkohë më tej citohet se ortaku kryesor është “z. Saniel Sanilevich, qytetar shqiptar, lindur në Israel më 15 nëntor 1974, abnues në adresën Haegoz 102 Neve Yarak Israel, identifikuar me pasaportën shqiptare”.

Duket se, vetë krerët e shtetit janë angazhuar që këtij konsulli ti japin të gjitha benefitet, fillimisht me procedurë të përshpejtuar të pasaportës, të cilën e zotëron për shkak të konsullit, dhe më pas lehtësira në leje ndërtimi, marrëveshje apo edhe tendera.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Faksimile: Prokura e Saniel Sanilevich për t’u përfaqësuar nga 3 persona në vendin tonë

Po në të njëjtën kohë kur bëheshin takimet e famshme të Ramës apo zyrtarëve të Ambasadës Shqiptare në Izrael, Saniel Sanilevich, në datën 12 korrik 2025, bëri një prokurë përfaqësimi në Shqipëri. Para një notere në Shqipëri, 51 vjeçari Sanilevich, “me dëshirë të lirë, vullnet të plotë dhe të pa vesuar, kërkoi që në cilësinë e administratorit të shoqërisë ‘SeaSun Albania Capital” të emëroj si përfaqësues të posaçëm z. Xhet Hushi, i datëlindjes 4 qershor 1986 në Elbasan të z. Kristaq Profkola, i datëlindjes 26.12.1980 dhe i znj. Dajana Marku, e datëlindjes 23.12.1999”.

Sipas prokurës, dy të parët kanë licencë avokati, ndërkohë që në të njëjtin dokument shkruhet se të tre “të përfaqësojnë dhe të ndërmarrin secili disa veprime. “Ata, sëbashku apo veç e veç të më përfaqësojnë dhe veprojnë në emrin e shoqërisë pranë QKB-së, të regjistrojnë shoqërisë, të regjistrojnë vendimet e shoqërisë, të regjistrojnë pronarin ëprfitues të shoqërisë dhe të regjistrjnë ndryshimet e të dhënave të regjistruata në regjistrit si pasojë e shitjes apo transferimit të kuotave te subjekte të tjera apo të vendimmarrjeve të ndryshme të shoqërisë”.

Madje, këta persona kanë të drejtë të nënshkruajnë marrëveshje apo kontrata për shitjen dhe transferimin e kuotës apo pjesë të saj te palë të treta, apo të firmosë edhe dokumente të tjera. Me pak fjalë, personat në fjalë janë njerëzit më të besuar, me letra, të Sanilevich në vendin tonë.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Në foto: Konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë në Izrael, Saniel Sanilevich

Emri dhe fotot e Saniel Sanilevich gjenden lehtësisht në faqen zyrtare të Ambasadës Shqiptare në Izrael, ku 51 vjeçari prezantohet si “Konsulli i ndërit i Republikës së Shqipërisë në Izrael”. Madje, vetë stafi i ambasadës shqiptare ka bërë takime në fermën e Sanilevich në periferi të Tel Avivit, atje ku mediat izraelite shkruan se kishte shkuar edhe kryeministri Edi Rama.

Në faqen e Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Sanilevich është kryetar dhe sipërmarrës, pronar i disa kompanive në Izrael dhe në mbarë botën. Nga viti 2011 e deri më sot ai ka në pronësi “Sanilevich Real Estate”, një firmë që merret me prona të paluajtshme dhe sipërmarrje. “Kompania ‘Sanilevich Real Estate’ ndërton dhe zotëron komplekse të mëdha të teknologjisë së lartë, qendra tregtare dhe objekte të tjera” thuhet në përshkrim.

Gjithashtu, ai rezulton se është pronar i mijëra metrave katrorë tokë në qendër të Izraelit, teksa e cilësojnë se është mbrojtës i mjedisit. Në Izrael, konsulli i nderit i Shqipërisë është edhe pronar i firmës “Yatir Investment Fund” një firmë që merret me financimin e startup-eve në fazat e hershme të zhvillimit, gjithashtu prej vitit 2916 ka edhe fermën “Sanilevich Ëinery Estate”, ku është pronar, fermer dhe prodhues vere. Kantina e tij prodhon rreth 30.000 shishe verë në vit.

Më herët, nga viti 2006 deri në 2011 ai ka punuar në zyrën e kryeministrit të Izraelit, ku ka shërbyer si këshilltar dhe menaxher i fushatës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu. Në vitet 2004–2006 ka qenë në njësinë speciale të policisë, ku ka shërbyer vullnetarisht si komandant i dy njësive speciale të policisë izraelite. Arsimi i tij është oficer i marinës Izraelite, me gradën kapiten dhe ka diplomë në drejtësi.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Në foto: Saniel Sanilevich gjatë takimeve të zyrtarëve të Ambasadës Shqiptare në Izrael, në fermën e tij

Fijet e 51 vjeçarit kanë filluar të jenë ngado në Shqipëri, pikërisht pas “emërimit” të tij si Konsull Nderi, takimeve me kryeministrin Edi Rama dhe lidhjet e tij me zyrtarë të lartë të qeverisë së Izraelit. Planet e tij për biznes janë hapur dukshëm në vendin tonë, ku krahas firmës që e ka regjistruar zyrtarisht në QKB, Sanieli është direkt dhe indirekt në disa nga projektet më madhore në Shqipëri, të ndërmarra kohët e fundit.

Sipas “TheMarker”, ai po punon edhe për ngritjen e një spitali në vend në Shqipëri, ndërkohë që “fshihet” edhe pas bankës së parë dixhitale “Jet Bank”. Madje, synon edhe ndërtimin e datacenterit në vendin tonë. Mësohet se gjatë dy viteve të fundit ai është përfshirë edhe në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri, në bashkëpunim me ish-gjeneralin izraelit Giora Eiland. Sanilevich dhe Eiland kanë qenë gjithashtu të angazhuar në procesin që çoi në marrjen e autorizimeve nga autoritetet shqiptare dhe izraelite për nisjen e fluturimeve direkte turistike mes Tel Avivit dhe Tiranës.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe Saniel Sanilevich, gjatë një takimi në Izrael

Sipas mediave izraelite, në vitin 2023, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama fluturoi me charter për një vizitë sekrete në Izrael. Destinacioni ishte rezidenca private Sanilevich Ëinery Estate, ku kryeministri i Shqipërisë ishte i ftuar nga pronari dhe miku i tij i ngushtë, Saniel Sanilevich.

Të njëjta media flasin se 51 vjeçari po synon një llokmë të madhe në Shqipëri, pikërisht planin e tij për të bërë biznes shëndetësor. Ka dyshime të mëdha se i njëjti emër mund të futet te nisma e qeverisë për të privatizuar tenderët e shëndetësisë, përmes krijimit të një shoqërie të përbashkët publiko-private e cila do të kishte monopolin e blerjes së ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe gjithë shërbimeve të tjera të shëndetësisë publike.

Raportimet mediatike në Izrael e përfshijnë Sanilevich me kompaninë Hadassah, megjithëse nuk rezulton se ai ka vjedhur apo përvetësuar fonde, teksa çështja e ngritur ishte kryesisht një konflikt i mundshëm interesi. Sanilevich ishte emëruar kryetar i bordit të Hadassah International Israel, një strukturë që merret me mbledhjen e donacioneve/fondeve për Hadassah. Në të njëjtën kohë, sipas raportimeve që i referohen gazetës izraelite The Marker, ai po zhvillonte me biznesmenen Yordana Ovadia një projekt për ngritjen e një spitali privat në Shqipëri.

Me të drejtë, mediat izraelite ngritën shumë pikëpyetje nëse mund të ketë konflikt midis rolit të tij si drejtues i një organizate që mbledh fonde për Hadassah dhe interesave të tij private në sektorin e spitaleve. Megjithatë, Hadassah reagoi publikisht duke thënë se Sanilevich ishte zgjedhur në drejtimin e Hadassah Israel, ndërsa aktivitetet e tij të biznesit janë të pavarura. Madje sqaruan se aktiviteti në kantinën e tij ishte organizuar me iniciativën personale të Sanilevich dhe se vetëm një numër i kufizuar përfaqësuesish të Hadassah morën pjesë.

/Vox News